Ballina Aktualitet ISUV veproi pa leje mjedisore, KLSH: Mbetje të rrezikshme të grumbulluara prej...

ISUV veproi pa leje mjedisore, KLSH: Mbetje të rrezikshme të grumbulluara prej vitesh dhe krematorium pa autorizim

65
0

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) ka ushtruar aktivitetin e tij të përditshëm duke prodhuar, grumbulluar, trajtuar dhe asgjësuar mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme pa qenë i pajisur me leje mjedisore, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ky është përfundimi i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili evidenton se institucioni nuk ka siguruar lejet e detyrueshme të tipit A ose B, sipas kërkesave të ligjit.

Sipas raportit, aktivitetet që kryen ISUV, përfshirë grumbullimin, ruajtjen, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve laboratorike, janë pjesë e kategorive që kërkojnë detyrimisht pajisjen me leje mjedisore, në varësi të llojit dhe sasisë së mbetjeve. Megjithatë, auditimi konstatoi se institucioni nuk disponon një leje të tillë për këto procese, duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me kërkesat ligjore.

Mbetje të rrezikshme të magazinuara për vite me radhë

Auditimi evidenton se nga proceset laboratorike të përditshme në ISUV gjenerohen një sërë mbetjesh të rrezikshme, përfshirë mbetje kimike të lëngshme dhe të ngurta, mbetje biologjike, mbetje infektive nga kulturat laboratorike, karkasa kafshësh dhe solventë kimikë si metanoli dhe acetonitrili, të cilët klasifikohen si të dëmshëm për shëndetin, të ndezshëm dhe korrozivë.

Këto mbetje janë grumbulluar dhe ruajtur në ambientet e institucionit, megjithëse sipas ligjit, vetë stacionet e transferimit dhe magazinimit të mbetjeve të tilla duhet të pajisen me leje mjedisore të tipit B. Nga auditimi nuk rezulton që ISUV të jetë pajisur me këtë leje për ruajtjen apo grumbullimin e mbetjeve.

Madje, raporti thekson se në ambientet e institucionit janë mbajtur mbetje të rrezikshme për shumë vite, disa prej të cilave me datë skadence që nga viti 2008. Edhe pas një procedure prokurimi në vitin 2024 për asgjësimin e një pjese të tyre, një sasi e konsiderueshme mbetjesh vijon të mbetet e magazinuar, duke përfshirë 1983 artikuj të ndryshëm, me njësi matëse të ndryshme, çka e bën të vështirë edhe përcaktimin e sasisë totale.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se kjo situatë përbën jo vetëm shkelje të ligjit, por edhe një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, aq më tepër në kushtet kur institucioni nuk ka personel të specializuar për çështjet mjedisore dhe nuk ka një vlerësim të specializuar për sigurinë e ambienteve të magazinimit.

Krematorium në funksion pa leje mjedisore dhe pa regjistër për mbetjet

Auditimi evidenton gjithashtu se ISUV operon një krematorium për djegien e mbetjeve biologjike dhe shtazore, përfshirë karkasa, mostra laboratorike dhe materiale të tjera, pa qenë i pajisur me lejen përkatëse mjedisore.

Institucioni ka argumentuar se krematoriumi funksionon prej kohësh, përpara hyrjes në fuqi të kërkesave ligjore për pajisjen me leje, por auditimi thekson se sipas ligjit, edhe instalimet ekzistuese duhet të pajisen me leje mjedisore për të vijuar aktivitetin.

Më tej, auditimi konstatoi mungesën e një regjistri për depozitimin dhe asgjësimin e mbetjeve në krematorium, si dhe mungesën e dokumentacionit mbi trajtimin e hirit të krijuar nga procesi i djegies, duke krijuar paqartësi mbi mënyrën e menaxhimit të këtyre mbetjeve.

Mungesë e plotë komunikimi me institucionet mjedisore

Sipas raportit, gjatë periudhës së auditimit 2022–2024, ISUV ka kryer aktivitete që kërkojnë leje mjedisore pa dokumentuar asnjë korrespondencë me institucionet përgjegjëse në fushën e mjedisit, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se mosndërmarrja e hapave për pajisjen me lejet e nevojshme dhe për menaxhimin e sigurt të mbetjeve ka rritur riskun mjedisor dhe ka cenuar sigurinë dhe shëndetin e punonjësve.

Për këtë situatë, auditimi ngarkon me përgjegjësi titullarët e institucionit për periudhat përkatëse, duke theksuar se nuk janë marrë masat e nevojshme për të garantuar përputhshmërinë me legjislacionin mjedisor dhe për të minimizuar rreziqet që lidhen me aktivitetin e institucionit./ekofin.al

 

Shpërndaje.