Ballina Kronika Përdorte të miturin për të shitur drogë, Prokuroria e Fierit dërgon për...

Përdorte të miturin për të shitur drogë, Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim efektivin e ‘Shqiponjave’

66
0

Një efektiv i “Shqiponjave” është dërguar për gjykim nga prokuroria e Fierit pasi përdorte një të mitur për shitje droge.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin B.D. i akuzuar për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Shtytja e të miturit në krim’, parashikuar nga nenet 283/1, 248 dhe 129, të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve, mbi proedimin penal nr. 380, viti 2024 u arrit të provohet se, punonjësi i policisë i Njësisë së Posaçme “Shqiponja” B.D., me qëllim shitjen e lëndës narkotike, ka bërë të gjitha veprimet për të rekrutuar nxënësin, një përdorues i lëndëve narkotike, me probleme familjare dhe në vështirësi ekonomike.

Duke njohur varësinë e këtij të fundit dhe duke përfituar nga cilësitë e tij si punonjës i shqiponjave, i pandehuri B.D. në fillim “e rekruton” të miturin për t’i dhënë informacione policore, por qëllimi kryesor ishte përdorimi i tij për shitjen e narkotikëve. Nga hetimi proaktiv i çështjes rezultoi se i pandehuri B.D. me veprime aktive, të kryera me dashje, ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke cënuar interesat e shtetit, rendit publik dhe të miturit.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të shërbimit publik që kryejnë vepra penale kundër rendit, sigurisë publike dhe fëmijëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.