Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara ndaj shtetasve J.M. dhe M.D., në kuadër të një hetimi pasuror të nisur gjatë vitit 2024. Pasuritë, sipas organit të akuzës, rezultojnë të pajustifikuara me burime të ligjshme dhe dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale.
Sipas SPAK, dy shtetasit janë subjekt i hetimit pasuror në bazë të ligjit “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, si dhe po gjykohen për llogari të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2021.
Nga hetimet janë evidentuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si apartamente dhe njësi banimi në Tiranë, njësi shërbimi në zonën e Bulevardit të Ri, vila në Gjirin e Lalzit, toka në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk, garazhe, automjete luksoze, kuota në një shoqëri tregtare si dhe llogari bankare. Vlera totale e pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi arrin në 1,976,870 euro dhe 9,330,062 lekë.
Njoftimi i SPAK:
Në vijim të njoftimit tonë të datës 7.3.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara me vendimin nr.1 datë 7.2.2025 të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të procedimit pasuror nr.8 i vitit 2024 ndaj shtetasve J.M dhe M.D.
Të dy shtetasit janë subjekte të hetimit pasuror sipas Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 dhe po gjykohen nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 166 të vitit 2021 për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të K.Penal.
Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 3.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.
Si rezultat i hetimeve të kryera, pasuritë e sekuestruara rezultuan të pajustifikuara nga burime të ligjshme, për të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:
Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;
Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;
Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;
Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;
Automjete të markave BMW dhe Audi;
Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;
Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.
Totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi për shtetasit J.M. dhe M.D. si dhe personat e lidhur me ta është: 1,976, 870(një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) euro dhe 9,330,062(nëntë milionë e treqind e tridhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekë.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (|SPAK) mbetet e angazhuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik.







