Që nga historia e Evës në Kopshtin e Edenit, në traditën e krishterë gjarpërinjtë shpesh lidhen me mashtrimin, të keqen dhe tundimin.
Megjithatë, në kultura të tjera të botës, si në Greqinë dhe Egjiptin e lashtë apo te popujt indigjenë të Amerikës së Veriut, gjarpri ka kuptime pozitive, duke simbolizuar pjellorinë, rilindjen, përtëritjen, madje edhe pavdekësinë. Një nga simbolet më të njohura është urobori, gjarpri që ha bishtin e vet, i cili përfaqëson përjetësinë dhe ciklin e pafund të jetës.
Më poshtë janë disa nga gjarpërinjtë më të njohur që kanë pasur rol të rëndësishëm në histori dhe mitologji:
1. Gjarpri në Kopshtin e Edenit
Në librin e Zanafillës, gjarpri shfaqet si një krijesë dinake që bind Evën të hajë frutin e ndaluar nga “pema e dijes”, duke i thënë se do të bëhej si Zoti dhe do të dallonte të mirën nga e keqja. Pas këtij veprimi, Zoti dëbon Adamin dhe Evën nga parajsa dhe mallkon gjarprin të zvarritet mbi bark dhe të hajë pluhur. Edhe sot ka debat nëse ky gjarpër ishte një kafshë reale apo një simbol i tundimit apo i Satanit.
2. Gjarpërinjtë që Shën Patriku dëboi nga Irlanda
Sipas legjendës, Shën Patriku i dëboi të gjithë gjarpërinjtë nga Irlanda duke i hedhur në det. Në realitet, Irlanda nuk ka pasur kurrë gjarpërinj për shkak të klimës dhe izolimit gjeografik. Kjo histori interpretohet si një simbol i largimit të paganizmit dhe përhapjes së krishterimit në vend.
3. Jormungand, gjarpri i detit në mitologjinë vikinge

Në mitologjinë nordike, Jormungandi ishte një gjarpër gjigant që rrethonte gjithë botën dhe mbante bishtin në gojë. Ai ishte biri i perëndisë Loki. Në fundin e botës (Ragnarok), ai del nga deti dhe përballet me Thorin. Thori e vret, por më pas vdes edhe vetë nga helmi i tij.
4. Leviathani në Librin e Jobit
Leviathani përshkruhet si një krijesë e madhe dhe e frikshme detare. Disa studiues mendojnë se mund të ketë qenë një kafshë reale si krokodili. Në tekstet biblike, ai përdoret për të treguar fuqinë e Zotit dhe pafuqinë e njeriut përballë krijimit hyjnor. Fjala “leviathan” më vonë u përdor për çdo krijesë gjigante detare.
5. Meduza dhe Gorgonat
Në mitologjinë greke, Gorgonat ishin krijesa të frikshme me gjarpërinj në vend të flokëve dhe shikimi i tyre i kthente njerëzit në gur. Meduza ishte më e njohura prej tyre dhe sipas disa tregimeve, dikur ishte një grua e bukur. Heroi Perseu e vrau duke parë vetëm reflektimin e saj në një mburojë, për të mos u kthyer në gur.
6. Kuetzalkoatli
Kuetzalkoatli ishte një nga perënditë më të rëndësishme të aztekëve, i njohur si “Gjarpri me pupla”. Ai përfaqësonte erën, shiun, dijen dhe krijimin. Sipas miteve, ai luajti rol në krijimin e botës dhe në zhvillimin e qytetërimit.
7. Naga
Në fetë lindore si hinduizmi, budizmi dhe xhainizmi, nagat janë krijesa gjysmë njeri dhe gjysmë gjarpër. Ato mund të ndryshojnë formë dhe shpesh konsiderohen të fuqishme. Në budizëm, disa naga janë mbrojtës të Budës. Një prej tyre, Mukalinda, e mbrojti Budën nga një stuhi duke e mbuluar me trupin e tij gjatë meditimit.
8. Vallja e gjarprit e fisit Hopi
Fisi Hopi në Arizonë ka një ritual shumë të vjetër të quajtur “Vallja e gjarprit”. Gjatë kësaj ceremonie, burrat përdorin gjarpërinj të gjallë, madje i mbajnë edhe në gojë, për të kërkuar shi dhe pjellori për tokën. Ky ritual ka kuptim të thellë shpirtëror për komunitetin.
9. Legjenda e Gjarprit të Bardhë
Një nga legjendat më të famshme kineze tregon për një gjarpër të bardhë që merr formë njerëzore dhe bie në dashuri me një burrë. Një murg zbulon identitetin e saj dhe përpiqet t’i ndajë. Historia ka versione të ndryshme, por shpesh tregohet si një histori dashurie e ndaluar dhe tragjike.
Këto histori tregojnë se gjarpërinjtë kanë pasur kuptime shumë të ndryshme në kultura të ndryshme, nga simbol i së keqes deri te mbrojtës dhe krijues të jetës.







