Pas zjarrit që shkrumboi pallatin në zonën e “Farmacia 10” në Tiranë, kompania ndërtuese “Arlis Ndërtim” shpk ka reaguar me një deklaratë të gjatë publike ku shpreh solidaritet me banorët dhe premton se do të rindërtojë me shpenzimet e saj fasadën dhe të gjitha apartamentet e dëmtuara, duke i kthyer në gjendjen fillestare.
Por në thelb të deklaratës bie në sy një formulim i qartë: kompania thekson se “nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore” për ngjarjen.
Në të njëjtën kohë, ajo argumenton se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit, pa shtesa katesh dhe sipas projektit të miratuar, ndërsa punimet janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente. Sipas kompanisë, për fasadën janë lidhur kontrata me kompani të tjera të regjistruara në QKB, të cilat kanë marrë përsipër përgjegjësinë ligjore për punimet dhe materialet e përdorura.
Deklarata përpiqet të japë një mesazh qetësues: gjithçka është bërë sipas ligjit, sipas standardeve dhe sipas procedurave. Madje objekti është kolauduar dhe dorëzuar tek banorët që në vitin 2021.
Por pikërisht këtu lind paradoksi.
Nëse pallati është ndërtuar sipas të gjitha standardeve, nëse është kontrolluar dhe certifikuar nga institucionet dhe nëse përgjegjësitë për fasadën i mbajnë kontraktorë të tjerë, atëherë kush mban realisht përgjegjësi për atë që ndodhi?
Premtimi për rindërtim me shpenzimet e kompanisë paraqitet si një akt solidariteti dhe “përgjegjësie sociale”. Por në thelb, ai nuk i përgjigjet pyetjes kryesore që lind nga një ngjarje e tillë: si është e mundur që një ndërtesë e certifikuar dhe e kontrolluar të përfundojë e shkrumbuar?
Deklarata e “Arlis Ndërtim” duket se ndërton një zinxhir ku përgjegjësia shpërndahet mes projektit, kontraktorëve, materialeve dhe institucioneve që kanë certifikuar objektin. Rezultati është një situatë ku të gjithë përmenden, por askush nuk duket se mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Në fund, banorëve u premtohet rikthimi i apartamenteve në gjendjen fillestare. Por për opinionin publik mbetet një pyetje shumë më e rëndësishme: a mjafton rindërtimi i mureve për të mbyllur një histori që kërkon përgjigje shumë më të thella?/vna







