Një gjyqtar futbolli amator është ndarë nga jeta pas një atentati të mirëfilltë të kryer ndaj tij në mes të një ndeshje që ai po drejtonte.
Ngjarja ka ndodhur në Ekuador, ku 48-vjeçari Havier Ortega, prej shumë vitesh gjyqtar në futbollin amator, u rrethua nga disa persona të armatosur me armë zjarri. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, në ndeshjen që po ndiqej nga disa spektatorë, personat e paidentifikuar u futën në fushë dhe rrethuan gjyqtarin duke e gjuajtur me armë zjarri.
Ai ra në tokë ndërsa njerëzit u përpoqën të largoheshin me shpejtësi, si lojtarët nga fusha, ashtu edhe spektatorët nga tribunat. Edhe vrasësit janë larguar në drejtim të paditur pa mbërritur policia në vendngjarje, në Pasahe, në provincën El Oro, këtë të diel.
Ambulanca nuk vonoi të vinte në fushën e futbollit, por ishte e pamundur që të shpëtohej jeta e Ortega dhe ai u shpall i vdekur në vend. Policia ka hapur hetim për këtë ngjarje të cilën nuk e vlerëson si “rastësore”, por duke e cilësuar si një atentat të mirëfilltë që kishte si objektiv të ndjerin.







