Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka konfirmuar një rast të izoluar të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në Shqipëri. Rasti është identifikuar më 30 mars 2026 në një fermë me rreth 220 dhi në fshatin Okshatinë, në Bulqizë.
Pas analizave laboratorike që konfirmuan virusin, autoritetet njoftojnë se ndërhynë menjëherë duke zbatuar masat e emergjencës. U krye eliminimi i kafshëve të infektuara, dezinfektimi i plotë i fermës dhe vendosja e karantinës, duke ndaluar çdo lëvizje të kafshëve dhe personave.
U përcaktuan gjithashtu zonat e sigurisë. Një zonë e mbrojtur në rreze 3 km dhe një zonë mbikëqyrjeje në rreze 10 km, që përfshijnë edhe territorin e Dibër. Sipas autoriteteve, nga monitorimet e deritanishme nuk janë evidentuar raste të tjera, çka tregon se situata mbetet nën kontroll.
Veterinarët u bëjnë thirrje fermerëve të zbatojnë masat e biosigurisë dhe të raportojnë menjëherë çdo simptomë të dyshimtë si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, mungesë oreksi apo ngordhje të papritur.
Autoritetet sqarojnë se kjo sëmundje nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Monitorimi në terren vijon, ndërsa institucionet mbeten në gatishmëri për të parandaluar çdo përhapje të mundshme.
Njoftimi i plotë
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se është konfirmuar një rast i izoluar i Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Rasti është evidentuar më datë 30.03.2026 në një fermë të mbarështimit të kaprinëve (dhi), me një total prej 220 krerë, në fshatin Okshatinë, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në laboratorin referencë të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.
Menjëherë pas konfirmimit të rastit, strukturat veterinare kanë ndërhyrë në terren duke zbatuar të gjitha masat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR. U krye hetimi epidemiologjik dhe u përcaktuan zonat e sigurisë, përkatësisht që përfshijnë territorin e bashkive Bulqizë dhe Dibër.
Në fermën e prekur u realizua eliminimi dhe asgjësimi i të gjitha kafshëve të mbetura, si dhe dezinfektimi i plotë i ambienteve dhe pajisjeve. Ferma u vendos në karantinë të plotë, duke ndaluar çdo lëvizje të kafshëve dhe personave dhe duke zbatuar masa të rrepta të biosigurisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Paralelisht, Shërbimi Veterinar ka vijuar monitorimin intensiv të fermave në zonat përreth, duke forcuar kontrollet në terren dhe duke zhvilluar takime informuese me fermerët për rëndësinë e zbatimit të masave parandaluese.
Janë njoftuar gjithashtu institucionet përkatëse vendore dhe është siguruar e gjithë logjistika e nevojshme për menaxhimin e situatës. Nga monitorimi i kryer në zonën e mbrojtur dhe atë të mbikëqyrjes, që prej datës 31.03.2026, nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara apo shenja klinike që lidhen me këtë sëmundje.







