Ballina Aktualitet Ndryshimet në ligjin për administratën prekin drejtpërdrejt zyrtarët e kabineteve të ministrave,...

Ndryshimet në ligjin për administratën prekin drejtpërdrejt zyrtarët e kabineteve të ministrave, zbardhen rregullat e reja

79
0

Publikohen ndryshimet e reja në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të cilat synojnë një riorganizim të thellë institucional. Ndër pikat më të rëndësishme që sjell ky ligj, i dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj, është saktësimi i statusit dhe mënyrës së emërimit apo shkarkimit të stafit të ngushtë të ministrave, rritja e llogaridhënies për institucionet e varësisë, si dhe krijimi i “Agjencive Autonome”.

Ndryshimet prekin zyrtarët e emëruar në kabinetet e ministrave

Një theks i veçantë në amendamentet e reja i është vendosur zyrtarëve të kabineteve ministrore, duke i dhënë fund çdo paqartësie mbi statusin e tyre. Ligji saktëson se kjo kategori nuk gëzon mbrojtjen e statusit të nëpunësit civil, por varet plotësisht nga ecuria e titullarit të institucionit dhe marrëdhënia e tyre është tërësisht e lidhur me mandatin e ministrit.

“Marrëdhënia e punës së funksionarit të kabinetit është marrëdhënie besimi me ministrin, të cilit i shërben. Funksionari i kabinetit lirohet nga detyra, lirisht, nga ministri,” thuhet në nenin 17 të ligjit të ndryshuar.

Ligji sqaron më tej se kjo marrëdhënie pune përfundon automatikisht në momentin e lirimit nga detyra të vetë ministrit (me përjashtim kur ministri pasues vendos t’i mbajë në detyrë), me dhënien e dorëheqjes, me dënimin me vendim të formës së prerë për vepra penale, ose në rastet e gjendjes në një situatë të vazhdueshme të konfliktit të interesit.

Krijimi dhe pavarësia e Agjencive Autonome

Krahas kabineteve ministrore, një risi kryesore është përcaktimi i qartë i statusit të agjencive autonome. Këto institucione do të krijohen me ligj të posaçëm për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve ose shërbimeve me interes publik. Qëllimi është ruajtja e standardeve teknike dhe ekonomike, duke e mbrojtur interesin publik nga ndërhyrjet administrative apo politike.

“Agjencia autonome gëzon pavarësi të plotë funksionale në ushtrimin e kompetencave të saj rregullatore të përcaktuara me ligj. Aktet e agjencisë autonome nuk revokohen, nuk shfuqizohen, nuk anulohen, nuk rishikohen apo nuk ndryshohen nga asnjë organ apo institucion tjetër publik,” përcaktohet në nenin 10.

Zyrtarët drejtues të këtyre agjencive do të emërohen me një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë, dhe shkarkimi i tyre bëhet vetëm në raste të shkeljeve të rënda apo mungesës së performancës.

Filtër strikt për institucionet e varësisë dhe rritje e llogaridhënies

Për t’i dhënë fund zgjerimit të pajustifikuar të aparatit shtetëror, ligji i ri vendos një filtër të rreptë. Çdo ministri që kërkon të krijojë apo të mbyllë një institucion të varësisë duhet të kryejë më parë një “analizë të thelluar organizativo-funksionale”, duke justifikuar kostot buxhetore dhe nevojën për personel.

Gjithashtu, sipas nenit 23, rritet llogaridhënia: çdo institucion varësie apo agjenci autonome detyrohet të hartojë një “plan vjetor të performancës”. Në fund të vitit, ata duhet të dorëzojnë një raport të detajuar (deri më 31 mars), i cili i nënshtrohet një “dialogu të strukturuar” me ministrinë. Mosmiratimi i këtij raporti për dy vite radhazi përbën shkak ligjor për shkarkimin e titullarit.

Pjesa më e madhe e ligjit do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa dispozitat specifike për Agjencitë Autonome do t’i shtrijnë efektet e tyre duke nisur nga data 1 maj 2027.