Qytetarët marshuan në rrugët e Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, kreu i qeverisë ka paralajmëruar ashpërsimin e legjislacionit për protestat, pas episodeve të dhunës dhe dëmtimeve të pronës gjatë tubimeve të fundit.
Media franceze La Libre shkruan se Rama prezantoi një paketë masash që parashikon gjoba deri në 5 mijë euro për personat që marrin pjesë në grumbullime ku kryhen akte dhune apo dëmtime të pronës, si dhe kufizimin e tubimeve deri në 72 orë në zona të caktuara, kur ekziston rrezik i menjëhershëm për dhunë.
Projektligji parashikon gjithashtu kompensimin e bizneseve të vogla të dëmtuara dhe masa ndaj personave që nxisin ose organizojnë pjesëmarrjen e nxënësve të mitur në protesta.
Por paralajmërimet e kryeministrit kanë shkaktuar shqetësim te protestuesit, të cilët i shohin këto masa si një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të protestuar.
“Kthim në komunizëm”, qytetarët kundër masave të Ramës
Gjatë protestës së së dielës, dy pensioniste shprehën shqetësimin e tyre për atë që e konsiderojnë cenim të të drejtave të njeriut. Njëra prej tyre ngriti pikëpyetje mbi përgjegjësinë e prindërve për veprimet e fëmijëve, ndërsa kritikoi mungesën e përgjegjësisë politike për anëtarët e qeverisë ndaj të cilëve po zhvillohen hetime.
Ajo theksoi gjithashtu vështirësitë ekonomike, duke bërë të ditur se pensioni i saj është vetëm 180 euro.
Ndërsa Frida, 29 vjeçe, i krahasoi masat e paralajmëruara me një rikthim në periudhën e komunizmit, përpara vitit 1990.
“Të censurosh llogaritë në internet që bëjnë thirrje për protesta, të arrestosh njerëz… kjo është si një kthim” në vitet e komunizmit, u shpreh ajo, sipas medias franceze.
Kritika ka pasur edhe nga opozita. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi për AFP-në se paketa e propozuar synon të frenojë protestat dhe të kontrollojë rrjetet sociale. Sipas tij, këto masa cenojnë të drejtat themelore dhe bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.
Protestat në Tiranë janë intensifikuar që prej 13 tetorit, si pjesë e një lëvizjeje që nisi në maj kundër një projekti ndërtimi në një zonë të mbrojtur natyrore, të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Mijëra qytetarë, veçanërisht të rinj, kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar korrupsionin, kushtet e studimit në universitete dhe qeverisjen e vendit, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Nga ana e tij, kryeministri ka deklaruar se largimi i tij nuk mund të imponohet me forcë, ndërsa ka pretenduar se ka ndërhyrje nga jashtë.
Të dielën në mbrëmje u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit pranë Kryeministrisë. Sipas policisë, një ditë më parë u arrestuan 23 persona, 13 të tjerë u vunë nën hetim dhe 30 persona u shpallën në kërkim.
Autoritetet raportojnë se që nga mesi i tetorit janë regjistruar më shumë se 300 të plagosur dhe një numër i ngjashëm personash të ndaluar.
Ndërsa qeveria paralajmëron masa më të ashpra, protestuesit vijojnë të këmbëngulin në kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit, duke ngritur shqetësime për lirinë e protestës dhe rrezikun e kufizimit të të drejtave demokratike.







