Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar disa persona të akuzuar për trafikim emigrantësh, falsifikim dokumentesh dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal. Sipas vendimit, Luc Melaj u gjet fajtor për disa vepra penale, përfshirë “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim dokumentesh”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.
Emanuel Melaj u shpall fajtor për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve dhe u dënua fillimisht me 6 vjet burg. Pas aplikimit të dispozitave të Kodit Penal, dënimi përfundimtar u reduktua në 4 vite burg, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në provë për 3 vjet, duke vendosur kushte të veçanta për sjelljen dhe kontaktet e tij.
Gëzim Camaj u shpall fajtor për dhënie ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve dhe u dënua fillimisht me 6 vjet burg. Pas aplikimit të nenit 406 dhe pezullimit të ekzekutimit të dënimit, ai do të qëndrojë në provë për 3 vjet me kushte të ngjashme si Emanuel Melaj.
Sekuestrimet dhe konfiskimet Gjykata ka urdhëruar konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të sendeve dhe mjeteve të sekuestruara, përfshirë: Shuma parash: 625.000 lekë, 8.125 euro, 3.060 dollarë amerikan dhe 240 dollarë kanadez.
Automjete: Mercedes Benz dhe Volkswagen në pronësi të Luc Melaj, të sekuestruara pranë Drejtorisë së Forcave Operacionale të Policisë. Aparate telefoni: disa modele iPhone, Nokia dhe Samsung, në pronësi të të pandehurve, si dhe pajisje të tjera teknologjike dhe materiale udhëtimi. Fishekë dhe armë të tjera të sekuestruara nga Luc Melaj, të cilat do të kalojnë te entet përkatëse përkatëse.
Gjykata ka vendosur gjithashtu kthimin e disa sendeve personale për shtetasit e përfshirë, duke përfshirë dokumente udhëtimi, mandate bankare dhe pajisje elektronike të sekuestruara. Vendimi i gjykatës është i plotë dhe i detyrueshëm, ndërsa SPAK njofton se hetimet dhe gjykimet në këtë rast janë zhvilluar në përputhje me standardet ligjore dhe me rregullat e procedurës penale.







