Ballina Ekonomia “Goditen vendet e punës dhe investimet”/ Shoqatat e biznesit kundërshtojnë paketën e...

“Goditen vendet e punës dhe investimet”/ Shoqatat e biznesit kundërshtojnë paketën e re fiskale: Të mos miratohet pa konsultim!

95
0

Bizneset në Shqipëri kanë kundërshtuar ndryshimet e propozuara nga qeveria në Paketën Fiskale për vitin 2027, duke paralajmëruar rritje të kostove për sipërmarrjen, rrezik për vendet e punës dhe presion mbi çmimet.

Ndryshimet parashikojnë rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe të TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%. Gjithashtu, propozohet ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë thotë se mbështet uljen e TVSH-së në 6% për produktet bazë të shportës ushqimore, por kundërshton që kjo masë të shoqërohet me rritje të tjera taksash.

Sipas saj, rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin do të rëndojë investimet dhe kapitalin vendas, ndërsa rritja e TVSH-së për turizmin vjen në një moment të vështirë për shkak të zhvlerësimit të euros dhe kontratave të sezonit 2027, të lidhura me çmime fikse.

Dhoma paralajmëron gjithashtu se ulja e pragut të TVSH-së do të prekë dyqanet, zejtarët dhe shërbimet e vogla, duke rritur rrezikun e informalitetit. Ajo thekson se më 9 tetor i ka dërguar i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit propozimet e biznesit, por nuk ka marrë përgjigje dhe nuk është zhvilluar konsultim me organizatat përfaqësuese.

Për këtë arsye, kërkon pezullimin e ndryshimeve deri në konsultimin me biznesin dhe publikimin e një analize mbi ndikimin e tyre në investime, punësim, çmime dhe konkurrueshmëri.

“Biznesi nuk duhet të informohet pasi politika fiskale është hartuar. Biznesi duhet të konsultohet përpara se ajo të vendoset”, thekson Dhoma.

Edhe Pro Export Albania kundërshton rritjen e barrës fiskale, duke vënë në dukje se sektori prodhues dhe eksportues po përballet prej vitesh me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës.

“Prej vitesh ky sektor përballet me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës. Në vend të masave që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar, po diskutojmë rritje të mëtejshme të barrës fiskale. Nuk jemi kundër reformave fiskale, por kundër vendimeve që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin”, deklaron Pro Export Albania.

Ndërkohë, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë vlerëson se vetëm rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin do t’u kushtojë bizneseve rreth 85 milionë euro më shumë në vit. Sipas tij, këto ndryshime do të lënë më pak fonde për investime dhe modernizimin e prodhimit, ndërsa mund të shtojnë presionin mbi çmimet.

Edhe shoqatat e biznesit të vogël, të mesëm dhe të madh kanë kundërshtuar masat dhe paralajmërojnë nisjen e reagimeve ndaj tyre.

Pavarësisht shqetësimeve të ndryshme që ngrenë për sektorët që përfaqësojnë, organizatat dhe shoqatat e biznesit në vend bashkohen në kërkesën që ndryshimet fiskale të mos miratohen pa konsultim me biznesin.