Reni Ashiku është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku po merret në pyetje në lidhje me hetimet për dyshime abuzimi me fondet IPARD. Ashiku është administrator i Converse Management Consulting (CMC).
Hetimet lidhen me menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të programit IPARD, një skemë mbështetëse e Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.
Në këtë çështje është e kallëzuar edhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila është marrë në pyetje më 17 mars.
Prokuroria e Posaçme po shkon drejt mbylljes së hetimeve për dosjen e IPARD-it, ku personave nën hetim pritet t’u komunikohet akuza.
Nuk dihen ende detaje të plota mbi rolin konkret të personave të përfshirë, ndërsa hetimet vijojnë.
Procedimi nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri.
Si pasojë e rekomandimeve të OLAF, Bashkimi Evropian vendosi të ndërpresë financimin përmes programit IPARD 3, duke bllokuar qindra miliona euro që ishin planifikuar si mbështetje për fermerët shqiptarë.







