Ballina Aktualitet Rriten ankesat ndaj mediave në 2025, kryesojnë ato për cenimin e figurës...

Rriten ankesat ndaj mediave në 2025, kryesojnë ato për cenimin e figurës dhe dinjitetit

98
0

Numri i ankesave të qytetarëve ndaj mediave audiovizive në Shqipëri është rritur gjatë vitit 2025, duke reflektuar njëkohësisht një publik më aktiv dhe një përmbajtje mediatike gjithnjë e më problematike në aspektin etik. Sipas Raportit Vjetor të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), janë administruar gjithsej 432 ankesa, mbi 84% e të cilave janë paraqitur nga individë.

Përtej volumit, raporti nxjerr në pah një zhvendosje të problematikave. Ankesat për cenimin e figurës dhe dinjitetit përbëjnë kategorinë dominuese me 26.1% të totalit, ndërsa ato për cenimin e privatësisë dhe të dhënave personale janë rritur ndjeshëm nga 8.9% në vitin 2024 në 15.4% në vitin 2025. Po ashtu, është rritur ndjeshëm edhe raportimi për skena dhune, nga 1.7% në 8.8%.

Këto zhvillime lidhen ngushtë me formatet që dominojnë audiencën, si reality show-t dhe debatet televizive, ku shpesh ndërtohet një model përmbajtjeje i bazuar në konflikt, ekspozim emocional dhe tension të vazhdueshëm. Në këto programe, kufiri mes argëtimit dhe cenimit të dinjitetit apo privatësisë bëhet gjithnjë e më i brishtë.

Në reality show, qytetarët kanë denoncuar shpesh ekspozimin e tepruar të jetës private, përdorimin e gjuhës fyese dhe situata që perceptohen si degradim i dinjitetit njerëzor. Kjo ka sjellë rritje të ankesave pikërisht në kategoritë që lidhen me dinjitetin dhe privatësinë, duke treguar se këto nuk janë raste sporadike, por pjesë e një praktike të përsëritur në përmbajtjen mediatike.

Ndërkohë, debatet televizive vijojnë të jenë një tjetër burim i rëndësishëm problematikash. Gjuha e ashpër, ndërprerjet e vazhdueshme, akuzat e pakonfirmuara dhe, në disa raste, elementë të diskriminimit apo gjuhës së urrejtjes, kanë nxitur reagim të shtuar nga publiku. Këto formate, në vend që të nxisin debat konstruktiv, shpesh kthehen në arena konfrontimi, duke reflektuar një polarizim të theksuar të diskursit publik.

Në këtë kontekst, edhe pse ankesat për interesin më të lartë të fëmijës kanë rënë nga 59.5% në vitin 2024 në 8.6% në vitin 2025, problematika mbetet e pranishme, sidomos përmes përmbajtjeve me gjuhë të papërshtatshme apo skena dhune që transmetohen në orare me audiencë të gjerë. Po ashtu, ankesat për diskriminim gjinor kanë rënë nga 5.7% në 2.5%, ndërsa ato për cenimin e dinjitetit të viktimës nga 15.2% në 5.0%, çka tregon një zhvendosje të fokusit të shqetësimeve të publikut.

Sa u përket masave të marra, AMA ka aplikuar kryesisht instrumente korrigjuese dhe parandaluese. Në 8.1% të rasteve (31 raste) është vendosur masa “tërheqje vëmendjeje”, ndërsa vetëm në 0.8% të rasteve (3 raste) janë vendosur gjoba për shkelje më të rënda, si gjuhë urrejtjeje, diskriminim apo fyerje të rënda publike. /ekofin.al