Ballina Kronika I dënuar për vrasje me thikë në Borsh, 29-vjeçari arrestohet në Belgjikë

I dënuar për vrasje me thikë në Borsh, 29-vjeçari arrestohet në Belgjikë

91
0

Një operacion i koordinuar ndërkombëtar ka çuar në kapjen në Belgjikë të një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim për krime të rënda kundër personit. Falë bashkëpunimit të FAST Albania me partnerët ndërkombëtarë përmes rrjetit ENFAST, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 29-vjeçarit Nasi Hodo.

Operacioni i koduar “Ndërveprimi”, i finalizuar nga policia belge, erdhi si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit policor. Shërbimet e FAST Albania kishin siguruar të dhëna se i kërkuari fshihej në Belgjikë, duke mundësuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve vendase.

29-vjeçari, i lindur në Sarandë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2019 është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 18 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Ngjarja për të cilën ai është dënuar daton në korrik të vitit 2017, kur në fshatin Borsh, Sarandë, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ai vrau me thikë shtetasin P. B. dhe plagosi rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta. Gjithashtu, ai rezulton autor edhe i plagosjes së shtetasit D. K.

Aktualisht vijon bashkëpunimi mes Interpol Tirana dhe homologëve belgë për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 13 vitesh, 6 muajsh dhe 27 ditësh burgim.