Ballina Aktualitet Thellohet skandali i AKSHI: Krijimi i ‘Albanian Digital Solution’ sh.a. ngre dyshime...

Thellohet skandali i AKSHI: Krijimi i ‘Albanian Digital Solution’ sh.a. ngre dyshime për tejkalim kompetencash dhe pa VKM

91
0

Sa më shumë të gërmosh aq herë të dalin skandale të përbindshme në aferën korruptive të AKSHI. Syri zbardh lidhjet e drejtorit të ri të AKSHI, i cili ashtu siç kemi dëshmuar më parë, duket se është emëruar në atë detyrë si garant i vijimit të aferës.

Më 14 prill 2026 është krijuar shoqëria aksionare shtetërore “Albanian Digital Solution” sh.a. (ADS), me aksionar të vetëm Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Igli Tafa. Sipas dokumentacionit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të njëjtën ditë janë miratuar akti i themelimit, statuti i shoqërisë, emërimi i administratorit, këshillit mbikëqyrës dhe audituesit ligjor.

Ky proces ngre pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e procedurës së ndjekur dhe mbi faktin nëse janë respektuar kompetencat institucionale që ligji i rezervon qeverisë dhe organeve përkatëse shtetërore.

Sipas ligjit nr. 43/2023 “Për Qeverisjen Elektronike”, AKSHI ka të drejtë të krijojë shoqëri operatore TIK me shumicë shtetërore, por ushtrimi i kësaj të drejte dhe përfaqësimi i pronarit shtetëror kërkon akt të posaçëm dhe nuk mund të realizohet jashtë kuadrit të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Në dokumentacionin e publikuar nuk rezulton asnjë vendim i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrit përgjegjës që të autorizojë Drejtorin e Përgjithshëm të AKSHI-t për të ushtruar i vetëm të drejtat e aksionarit shtetëror dhe për të themeluar shoqërinë.