Ballina Politika Çështja “Meta”/ Blushi publikon 3 prova të reja mbi kartat bankare: Pse...

Çështja “Meta”/ Blushi publikon 3 prova të reja mbi kartat bankare: Pse s’qëndron akuza për “ligjin e minierave” dhe kompaninë “PLUS”

63
0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka publikuar prova të reja sa i përket çështjes ndaj Presidentit të PL, Ilir Meta.

Çështjen e kartave bankare ai e ka quajtur një mashtrim të kryer me dashje ndaj autoriteteve amerikane.

“Meta kurrë nuk ka përdorur në jetën e tij një kartë bankare shqiptare, jo më amerikane apo europiane. Kjo “prove” imagjinare nuk ekziston. Zero kartë bankare e përdorur nga Ilir Meta gjatë gjithë jetës së tij!”, tha ai.

Deklarata e plotë:
Sot do të vijojmë, mbështetur vetëm mbi fakte dhe prova ligjore, çmontimin e të tjera manipulimeve dhe mashtrimeve të qëllimta, të montuara shumë trashë në akuzat politike të SPAK-ut kundër Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.

KARTAT BANKARE

Nisim me çmontimin e një mashtrimi të qëllimshëm kriminal, të nivelit më të lartë të kryer me dashje nga SPAK ndaj autoriteteve amerikane.
Kjo është një letërporosi, e datës 11 mars 2025, që SPAK ka dërguar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.
Lexoni me sytë tuaj si mashtron SPAK-u autoritetet amerikane, duke pretenduar se është e provuar që Z. Meta ka përdorur të paktën tre karta amerikane.
Ky është një mashtrim jo 100% por 1000%.
Z. Meta kurrë nuk ka përdorur në jetën e tij një kartë bankare shqiptare, jo më amerikane apo europiane.
Kjo “prove” imagjinare nuk ekziston.
Zero kartë bankare e përdorur nga Ilir Meta gjatë gjithë jetës së tij!

LIGJI I MINIERAVE
Vijojmë me çmontimin e një tjetër manipulimi, përpjekjen e SPAK për të lidhur gjoja ndërhyrjen e Z. Meta në miratimin e ligjit për minierat në Kuvend më 9 tetor 2014.
Sqaroj se nga propozimi dhe deri në miratimin e një ligji ndiqet një rrugë e hekurt, e përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit.
Projektligji propozohet nga një deputet, grup deputetësh ose Këshilli i Ministrave, shqyrtohet në Komisionet Parlamentare dhe në finale është votimi në seancë që vendos miratimin ose rrëzimin e tij.
Por cila ka qenë procedura e ndjekur në këtë rast?
Përgjigjen e jep vetë SPAK, në komunikimin e akuzës ndaj Z. Meta.
Konkretisht, në faqen 134 SPAK shkruan vetë: “Në datën 8 korrik 2014 deputetja Esmeralda Shkjau depoziton në sekretarinë e Kuvendit amendamentet për dy nene, nenin 19 dhe 27 të projektligjit.” Në përfundim të procedurës parlamentare, neni 35 i ligjit Nr.10304, datë 15 korrik 2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, është miratuar sipas amendimeve të deputetes, Esmeralda Shkjau”.
Dihet botërisht se kjo deputete ishte e PS dhe jo e LSI.
Gjithashtu, interesant është fakti që nismën e ka mbrojtur personalisht Edi Rama, në seancën plenare të datës 9 tetor 2014, kur është miratuar ligji. (VIDEO)
Pra sikundër e patë, ligjin e ka propozuar deputetja e Edi Ramës, e ka mbrojtur vetë Edi Rama dhe e kanë votuar vetë deputetët e Edi Ramës.
Ku ekziston ndërhyrja e Z. Meta në këtë rast?
PS aso kohe kishte 65 vota, ndërsa LSI kishte 16 vota.
Sigurisht që LSI e votoi ligjin për shkak se ndryshimet ligjore forconin dhe garantonin sigurinë e punëtorëve në miniera.
Por Ilir Meta ka patur vetëm 1 votë.
Ku qëndron ndërhyrja e tij në këtë rast?
Mashtrimi ordiner i SPAK, sikur gjoja Z. Meta ka ndërhyrë për miratimin e këtij ligji për të përfituar një biznesmen i caktuar, bie poshtë.
E para sepse ka ZERO provë që Z. Meta të ketë patur ndonjë komunikim për këtë çështje me ndonjë biznsmen.
E dyta se nga ky ndryshim ligji në atë kohë, në dijeninë tonë kanë përfituar rreth 300 subjekte që operonin në fushën e minierave dhe sot janë mbi 600 kompani që përfitojnë.

KOMPANIA CELULARE “PLUS”
Vijojmë tani me episodin që ka të bëjë me të vetmen kompani celulare shqiptare, kompaninë PLUS, tanimë të falimentuar.
Publikojmë provën ligjore, një dokument zyrtar shtetëror, marrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ekstrakti historik i regjistrit tregtar për të dhënat e kompanisë PLUS.
Siç mund ta verifikojë kushdo lehtësisht, kjo kompani ka patur, jo 1 por 161 aksionerë shqiptarë, emra të njohur të biznesit shqiptar, përfshi edhe Post Telekomunikacionin e Kosovës.
Them ka patur, sepse kompania PLUS ka falimentuar.
SPAK pretendon sikur gjoja ka patur një ndërhyrje, nga ana e Z. Meta si Kryetar i Parlamentit te Kryetari i asaj kohe i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për të favorizuar gjoja 1 aksioner të kësaj kompanie, kur ndërkohë kompania ka patur 161 aksionerë.
Pra i gjithë manipulimi që ka bërë SPAK është lidhja e paqenë sikur Z. Meta ka ndërhyrë pranë AKEP-it për të favorizuar kompaninë PLUS.
Pyetjet që lindin natyrshëm janë?
Ku është prova ligjore që e implikon Z. Meta? Ndaj kujt ka ndodhur ndërhyrja dhe si e fakton SPAK-u ligjërisht pretendimin për ndërhyrje?
Zero prova. Zero fakte. Zero mesazhe apo komunikim telefonike ndërmjet Z. Meta dhe çdo personi tjetër për të favorizuar kompaninë PLUS.
Po ku qëndron manipulimi i SPAK?

Aksionerët e PLUS-it ankoheshin aso kohe se kompania e tyre po falimentohej qëllimisht nga AKEP për llogari të dy kompanive të huaja më të mëdha celulare që operonin në treg.
Spekullimi i qëllimshëm i SPAK qëndron mbi një përgjim apo në disa mesazhe të gjetura në një komunikim telefonik që ka patur një deputete, anëtare e Komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, me Kryetarin e AKEP-it, ku ky i fundit i shprehet se drejtuesit e kompanisë PLUS janë ankuar te Kryeministri dhe te Kryetari i Kuvendit se AKEP-i po i falimentonte për interes të dy kompanive të mëdha celulare.
Sikundër ekzistojnë në fashikujt hetimorë edhe mesazhe midis aksionerëve të PLUS-it dhe anëtarëve të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, ku ata ngrinin të njëjtat pretendime për AKEP-in.

Pse ankoheshin për AKEP-in? Sepse sipas nenit 7 të ligjit “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, një nga funksionet themelore të AKEP është të sigurojë mosdiskriminimin dhe barazinë në trajtimin e ofruesve të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike.
Por edhe në këtë episod ka ZERO përfshirje të Z. Meta.
Madje edhe në ato mesazhe, që disponon SPAK-u, që e theksoj nuk i përkasin Z. Meta, nuk bëhet fjalë absolutisht për favorizim, por pikërisht për zbatimin me rigorozitet të ligjit, pra për mosdiskriminimin e PLUS-it për interes të dy kompanive të mëdha.
Pra ZERO fakte, ZERO prova, Zero mesazhe apo komunikime telefonike mes Z. Meta dhe kujtdo tjetër në lidhje me kompaninë PLUS.
Vetëm manipulime, mashtrime dhe fshehje faktesh nga ana e SPAK.
Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjerë, ku Presidenti Meta do të jetë ballë për ballë me bandën që e rrëmbeu në mënyrë banditeske për llogari të Edi Ramës, McGonigalëve dhe mafias ndërkombëtare, ku do të çmontohet në ADN i gjithë ky proces fund e krye farsë, politik dhe kriminal kundër tij.