Ballina Europë Operacion antidrogë në Bolzano/ Goditet rrjeti i shpërndarjes në Alto Adige, arrestohen...

Operacion antidrogë në Bolzano/ Goditet rrjeti i shpërndarjes në Alto Adige, arrestohen 28 shqiptarë

81
0

Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar në Itali ka çuar në arrestimin e 28 shtetasve shqiptarë, të akuzuar për organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.

Aksioni, i koduar “Daku” dhe i nisur që në vitin 2023 nga Drejtoria Antimafia e Trentos, u finalizua në orët e para të mëngjesit me ndërhyrjen e dhjetëra agjentëve në disa qytete të rajonit Alto Adige.

Sipas hetimeve, grupi i strukturuar merrej me importin e drogës nga Belgjika dhe Spanja, si dhe me shpërndarjen e saj në gjithë territorin përmes një rrjeti të organizuar korrierësh dhe shpërndarësish.

Gjatë operacionit u sekuestruan 24 kilogramë kokainë e pastër, 23 kilogramë marijuanë, 5.6 kilogramë hashash, 76 mijë euro cash dhe një armë zjarri.

Hetimet kanë dokumentuar mbi 150 raste të shpërndarjes së drogës, ndërsa anëtarët e grupit përdornin metoda të sofistikuara për të shmangur përgjimet, përfshirë komunikime të koduara dhe përdorimin e numrave fiktivë.

Sipas autoriteteve italiane, organizata funksiononte në grupe të ndara që nuk njiheshin mes tyre, duke mbuluar të gjithë zinxhirin e trafikut, nga furnizimi deri te shitja dhe mbledhja e parave, shpesh edhe përmes dhunës.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë rrjet.