Ministria e Arsimit, Mirela Kumbaro u paraqit përpara komisionit parlamentar të edukimit, për të shpjeguar se pse qeveria vendosi që Qendrën e Shërbimeve Arsimore ta shkrijë dhe të krijojë një Agjenci e cila do të kontrollohet nga Fondi Shqiptaro-amerikan për Zhvillim AADF.
Ministrja nuk la gjë pa thënë për QSHA-në aktuale që PS e drejton prej 2012-ës, për ta nxjerrë si institucion dështak, dhe së shpëtimi do të vinte nga AADF.
“Volum i jashtëzakonshëm pune. QSHA jep një gamë të gjërë shërbimesh. Stafi punon jashtë orarit, kapacitetet teknologjike dhe logjistike janë të kufizuara. Ka kompleksitet të lartë pune. Shqiptarët që studiuan jashtë po kthehen dhe ka volum pune për njësimin e diplomave”,-tha Kumbaro.
Ajo tregoi se ideja nuk kish qenë e ministrisë, por çuditërisht, ekspertët që AADF solli, dolën në përfundimin se kjo drejtori duhet të kalonte në duart e AADF, që kontrollon bordin e Agjencisë së re.
“AADF nuk ka qëllime fitimi. Ata na sollën ekspertë britanikë nga Cambridge. Nuk na erdhi ne si ministri kjo, por na erdhi pas një ekspertize të thellë”,-tha ministrja.
Por ajo fshehu të vërtetën.
AADF do të investojë 5 milionë euro në 10 vjet, ndërsa vetëm QSHA sot krijon vetë 1 mln euro në vit.
“Funksionimi i Agjencisë do të rregullohet me një dokument të vetëm”,-tha Kumbaro, duke lënë të vërtetat e hidhura të plasin në një dokument tjetër, jo parlamentar, si VKM_ja.
VNA ka mësuar se AADF ka rënë dakord me qeverinë për të mos paguar taksa për shërbimet që do të kryejë, madje do të ketë imunitet edhe nga kontrolli i KLSH-së, edhe pse do të marrë financim publik.
Kështu që AADF do të ketë të gjitha provimet dhe licencat shtetërore në dorë, përfshi të dhënat personale dhe kontrollet e tarifave./vna







