Ballina Kulturë Rihapja e Muzeut Arkeologjik të Durrësit/ Gonxhja: Durrësi është dëshmia më e...

Rihapja e Muzeut Arkeologjik të Durrësit/ Gonxhja: Durrësi është dëshmia më e madhe e të shkuarës së lavdishme

75
0

Në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se Durrësi është dëshmia më e madhe e të shkuarës së lavdishme, por edhe i një të ardhmeje që mëson nga e kaluara.

Ministri Gonxhja tha se në këtë qytet e shkuara nuk është pengesë, përkundrazi, është një motor zhvillimi ekonomik dhe kulturor, që nga viti në vit fton miliona vizitorë për ta zbuluar.

Kreu i MTKS e cilësoi muzeun si shembullin më të mirë të kësaj simbioze, por edhe i një transformimi epokal dhe të paimagjinueshëm, duke e krahasuar historinë e Muzeut Arkeologjik të Durrësit me historinë e Shqipërisë.

“Godinës kanë dashur t’i rrëmbejnë edhe titullin e pronësisë, të cilin me mundim ia garantuam në vitin 2024”, tha ministri Gonxhja.

Hapjen fillestare ky muze e pati në vitin 1951, ku objektet e para u vendosën në një vilë dykatëshe në Durrës, ndërsa në këtë ndërtesë ato erdhën në vitin 1999, objektet e ekspozitës si dhe fondet arkeologjike. Në fjalën e tij ministri ngriti lart kontributin e arkeologëve shqiptarë, mes të cilëve veçoi atë të Vangjel Toçit.

Sipas ministrit Gonxhja, në këtë muze, publiku do të gjejë mbi 3200 artefakte, të ndara në pavijone të rikonceptuara, e deri tek elementët e teknologjisë, që mundësojnë udhëtimin në kohë brenda qytetit të gladiatorëve e të mbretëreshës Teutë.

Numri i punonjësve në Qendrën Muzeore Durrës është shtuar me 17 vetë, duke e çuar në 33 numrin e personelit, ku profesione të rralla, por shumë të domosdoshme si restaurues, arkeologë, ciceronë do t’i bashkohen nevojave të reja të zbulimit dhe mikpritjes.