Ballina Politika “Jeton në shtëpi me qira”: Si dosja e SPAK rrëzoi mbrojtjen e...

“Jeton në shtëpi me qira”: Si dosja e SPAK rrëzoi mbrojtjen e Ramës për Mirlinda Karçanajn

84
0

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Edi Rama shpjegonte se Mirlinda Karçanaj jetonte në banesë me qira dhe se publiku po ushqehej me “çerek të vërteta”. Sipas tij, nga dosjet nxirreshin vetëm copa për të dënuar njerëz në sytë e opinionit.

Disa muaj më vonë, dosja e SPAK duket se ka sjellë edhe disa “copëza” të tjera.

Prokuroria thotë se ish-drejtoresha e AKSHI-t dyshohet të ketë përfituar rreth 200 mijë euro ryshfet, në disa raste të dorëzuara në kuti vere të mbushura me kartëmonedha. Paratë, sipas hetimeve, dyshohet se kanë përfunduar në dy apartamente në Tiranë dhe një duplex në Qerret.

Një apartament blihet nga një kompani e lidhur me Orest Sotën dhe më pas i jepet Karçanajt me qira. SPAK dyshon se kontrata është fiktive. Një tjetër apartament kalon nga motra e Daniel Shimës te nëna e Karçanajt me çmim shumë më të ulët se tregu. Ndërsa për duplex-in në Qerret, hetuesit thonë se Karçanaj banonte vetë aty.

Pra historia e “banesës me qira” tani ka disa detaje të reja: dy apartamente, një duplex dhe disa kuti vere – jo për degustim, por të mbushura me euro në prerje të mëdha.

Tani mbetet të shihet se si do ta shpjegojë Edi Rama historinë e re të “heroines së digjitalizimit”. A do t’i qëndrojë ende deklaratës se Mirlinda Karçanaj jetonte në një shtëpi me qira, apo emri i saj do t’i shtohet listës së gjatë të atyre që, sipas shprehjes së kryeministrit, “hanë kumbulla dhe dardha pas shpinës së tij”.