Kryeministri Edi Rama ka renditur problematikat me të cilat përballet vendi ynë në sektorin e sigurisë ushqimore, një nga pikat kryesore të procesit të integrimit në BE.
“Ky proces lidhet me një bagazh të pa zëvendësueshëm dijeje që ne duhet ta importojmë nga BE në Shqipëri për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve. Bagazh dijesh që do ta importojmë në çdo drejtim. Kur flasim për sigurinë ushqimore është diçka që nuk mund të negociohet apo të realizohet nëse nuk zotërojmë dijet për të ngritur të gjithë atë ngrehinë institucionale politikë bërjeje, zbatimit të politikave dhe inspektimi që në mungesë na krijon probleme të mëdha që reflektohen tek shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve tanë. Ndaj standardet europiane që janë sfida për t’u fituar dhe maja të vështira për t’u arritur, nuk janë zinxhir në këmbët tona për krahë që na lehtësojnë ngjiten më lart. Ndaj duhet pasur parasysh që kur flitet për ecje drejt BE flasim për Shqipërinë që bëhet Europë jo për një udhëtim jashtë vendit, por ripërtëritje tërësore të vendit dhe përmbushjen e një procesi historik shtetëbërjeje mbi standardet europiane. Kemi detyrimin të harmonizojmë kuadrin ligjor me BE në çdo drejtim, por përtej harmonizimit, na duhet modernizim i sistemit veterinar, i rrjetit të laboratorëve të cilat as nuk mund të konsiderohen detyra, por janë zgjedhje të pa tjetërsueshme dhe të pa shmangshme për të nesërmen tonë. Ligji i shkruar mirë nuk bën punën, e bëjnë njerëzit që zbatojnë ligjin dhe duhet të luftojnë informalitetin në sistemin ushqimor, problem me të cilin përballemi çdo ditë, që nuk është çështje ekonomike apo cilësie ushqimore në vetvete por luftë për shtetin e së drejtës”, tha ai.







