Ballina Aktualitet Rënie drastike e blegtorisë në Korçë, shkak kostot e larta të tokës...

Rënie drastike e blegtorisë në Korçë, shkak kostot e larta të tokës me qira dhe çmimet e ulëta të qumështit

62
0

Numri i blegtorisë në juglindje të vendit ka pësuar rënie të ndjeshme vitet e fundit. Burime nga sektori bëjnë me dije se në qarkun e Korçës, nga mbi 300 mijë krerë bagëti në vitin 2021, aktualisht ka rreth 70 mijë më pak. Vetëm në bashkinë e Maliqit, brenda një viti janë reduktuar rreth 5 mijë krerë të imta.

Kasëm Sardi dhe Arjol Lalollari janë dy blegtorë në njësinë administrative Pirg, në Maliq. Ata thonë se rënia e numrit të bagëtive lidhet me mungesën e mbështetjes, çmimet e ulëta të qumështit, si dhe rritjen e kostove për tokat me qira dhe shërbimet veterinare.

“Rënia e blegtorisë është nga mungesa e grumbullimit të qumështit, çmimet janë të ulëta. Subvencionimi shumë i pakët. Ata 30 euro ata 15 euro. Unë kam pasur më parë më shumë tani vetëm 200 kam. Punimet e rënda, nuk i ndjekim më. Me qira tërë tokat. Barinjtë, nuk flitet do 30 për mijë në ditë. Nuk ta bën punën. Rritja e kostove zvogëlon numrin, sa më shumë rriten kostot, zvogëlohet numri i bagëtive”, është shprehur blektori Kasëm Sardi.

Të dy blegtorët e mbajnë aktivitetin në mënyrë familjare, pasi pagesat për barinjtë janë të larta. Në këto kushte, Lalollari thotë se po mendon të heqë dorë nga ferma dhe të emigrojë.

“Janë shumë të vështira për t’u mbajtur. Qumështi të gjitha. Me 70 lek nuk ka fitim. Mbështetja 12 mijë koka, ku ka fitim? Për një dhi çfarë të bëj? Kam marrë toka me qira, kam 55 dylym tokë. I kanë ulur të gjitha, unë mund t’i heq fare. Mund të iki fare jashtë shtetit. Vështirë është, burrë e grua e vjen puna një dëmtohet”, është shprehur blektori Arjol Lalollari.

Rëniet më të mëdha të blegtorisë janë regjistruar në bashkitë e Korçës, Maliqit dhe Kolonjës, zona që tradicionalisht kanë pasur drejtim blegtoral.