Ballina Aktualitet Ekzekutohet vendimi për sekuestrimin e pasurive të Ergys Agasit, policia zbarkon te...

Ekzekutohet vendimi për sekuestrimin e pasurive të Ergys Agasit, policia zbarkon te ‘Equos Resort’

103
0

Policia ka zbarkuar këtë të mërkuarë (22 prill) në ambientet e Equos Resort, ku po zbatohet një vendim për sekuestrimin e pasurive te Ergys Agasit.

Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi dje (21 prill) një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Me kërkesë të SPAK Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e një liste të gjatë pasurish, të cilat sipas SPAK kapin një vlerë të përafërt mbi 40 milionë euro.

Në vendimin e gjykatës përfshihen apartamente, truaj, vila, pyje, ndërtesa, automjete luksoze, llogari bankare në disa institucione financiare, si dhe aksione në subjekte tregtare, në pronësi të Agasit, Beqirajt dhe Karçanajt.

Ndër pasuritë e sekuestruara përmenden: apartamente dhe prona në zona të ndryshme të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, sipërfaqe të mëdha toke dhe pyjesh në Petrelë dhe zona të tjera periferike, automjete luksoze, disa llogari bankare, subjekte tregtare dhe aksione në kompani të ndryshme si edhe mjete lundruese, përfshirë një jaht.

Gjithashtu, në disa raste janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash të mbajtura në llogari të subjekteve të ndryshme tregtare.