Ballina Kosovë “Kosova nuk të ka borxh, por i ke asaj” – shpërthen Adriatik...

“Kosova nuk të ka borxh, por i ke asaj” – shpërthen Adriatik Riza Dosti ndaj amanetit të Rexhep Qosja

90
0

Një reagim i ashpër dhe polemizues ka ardhur nga gazetari dhe analisti politik Adriatik Riza Dosti pas publikimit të amanetit të akademikut të ndjerë Rexhep Qosja.

Përmes një shkrimi publik, Dosti kundërshton hapur qëndrimin e Qoses, veçanërisht deklaratën e tij se largohet nga kjo botë pa i pasur borxh Kosovës.

Në reagimin e tij, Dosti shprehet se figura dhe vepra e Qoses janë ndërtuar pikërisht falë Shqipërisë dhe Kosovës, duke e konsideruar të padrejtë dhe provokuese deklaratën e akademikut në fund të testamentit të tij.

Ai nënvizon se reagimet e para publike për vdekjen e Qoses nga figura si Edi Rama dhe Rudina Xhunga e kanë shtyrë të bëjë publike këtë qëndrim kritik.

Shkrimi i plotë:

Prehu i qetë, Profesor R. Qosja… se as Kosova e as Shqipëria nuk të kanë ndonjë borxh…
Je ti ai që ndoshta u ke borxhe atyre… madje jo pak.
Figura jote dhe vepra jote letraro–albanologjike ekzistojnë pikërisht në sajë të Shqipërisë dhe Kosovës, e jo anasjelltas… ok.

Më fal atje ku je, o Profesor… por sinqerisht u ndjeva keq si shqiptar, qoftë edhe prej faktit se për vdekjen tënde të parët që reaguan “fort dhe me dhimbje publikisht” ishin Edi Rama e pas tij Rudina Xhunga… pffff, o Zot, çfarë neverie.

U nxitova t’i bëj publike këto radhë të mia pasi lexova me vëmendje amanet–testamentin për vdekjen e tij (Rexhep Qosjes), lënë për së gjalli 10 vjet më parë dhe që u bë publik dje (pas vdekjes së tij) nga familjarët e vet.

Është e drejta jote absolute, i ndjeri Akademik e Profesor, të ikësh nga kjo botë ashtu siç dëshiron ti… pa klerikë te koka, pa lule prej askujt, thjesht fare, pa homazhe shtetërore, pa ceremoni të tilla, pa politikanë hipokritë rreth teje dhe pa fjalimet e tyre hipokrite etj., etj.

Është po e drejta jote të vdesësh e të varrosesh brenda ditës, të kërkosh të ikësh me kaq ngut dhe të kërkosh që edhe përmes vdekjes tënde t’i fshihesh gjithkujt… e të ikësh kësisoj si në ato historitë me Robinson Kruzo… sikur s’ke jetuar kurrë mes njerëzish.

Por është fyese, provokuese, njësoj si t’i hedhësh benzinë zjarrit, shprehja jote në fund të amanet–testamentit tënd mortor, teksa thua: “iki i qetë nga kjo botë pasi Kosova nuk më ka asnjë lloj borxhi; nëse ajo më ka mua borxhe, këtë le ta thonë historianët që do të vijnë pas meje.”

Shqipëria dhe Kosova “kundër dëshirës tënde” po të nderojnë ende dhe më shumë sesa duhet e sesa ke pritur ti, Profesor.

Të dyja parlamentet, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, u ngritën në këmbë në një minutë heshtje – nderim në respekt të jetës dhe veprës tënde.
Homazhe, përkujtimore, nderime e respekt për figurën dhe veprën tënde, dhe krejt media shqipfolëse në mbarë botën hapet e mbyllet me ty, Profesor, ani pse “kundër dëshirës” dhe amanetit tënd.

A ke qenë ti fort i hidhëruar me Shqipërinë dhe Kosovën, i mbushur me mllef ndaj tyre, apo kanë qenë këto të dyja të hidhëruara e të vrerosura ndaj teje ndër vite – këtë po, pritet në vijim ta zbulojnë historianët që përmend ti… madje me arsye, fakte konkrete dhe me logjikë të ftohtë, larg gjaknxehtësisë tipike shqiptare.

Por…

Nuk të ka asnjë borxh Kosova pse ti dëshiroje të arsimoheshe në Beograd dhe të formoheshe si intelektual po në kryeqytetin serb, e jo në Prishtinë apo qoftë edhe në Tiranë.
Nuk ta ka fajin Kosova që ti, me dëshirën tënde, u bëre anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave që në vitin 1972.
Nuk ta kishte për borxh Kosova dhe as populli i saj kur ti, Profesor, ishe ndër të parët që denove publikisht demonstratat e Prishtinës të vitit 1981, madje ashpër kërkove edhe dënimin e organizatorëve të tyre.
Nuk është faji i Kosovës pse ti iu kundërvure aq ashpër udhëheqësit paqësor të trevës tënde, dr. Ibrahim Rugovës, ndërkohë që vendi dhe populli i tij e donin dhe e respektonin shumë.

Nuk ta kishte Kosova fajin, z. Qosja, pse ti hyre në politikë asisoj, ndërsa bashkëatdhetarët e tu u detyruan të të mbyllin derën.
Çfarë faji dhe çfarë borxhi të ka Kosova ty në përplasjen tënde publike “në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar” me Kadarénë, ndërsa ky i fundit kishte dukshëm më shumë të drejtë se ti për çështjen në fjalë?

Borxh të Kosovës ndaj teje e quan ti qëndrimin tënd kontradiktor në Rambuje, aty ku vendoseshin fatet e vendit dhe të popullit tënd?

Sa i përket Shqipërisë…

Ajo të ka shpallur “Nderi i Kombit” dhe sot shqiptarët po ndihen keq për ikjen tënde nga kjo botë, sepse respektojnë së pari figurën dhe veprën tënde letraro–albanologjike në shërbim të kombit të tyre dhe tëndit bashkë.

Ndërsa ti i poshtërove rëndë shqiptarët e Shqipërisë, teksa si askush tjetër i more publikisht në mbrojtje regjimin e tyre komunisto–bolshevik dhe kriminalo–gjakatar.
Ti iu bëre karshillëk atyre dhe i more në mbrojtje kryekriminelin e tyre, Enver Hoxhën, o Profesor… dhe kjo nuk është pak për ata qindra mijëra që ai burrë shteti yt, Enveri, vrau dhe zhduku për dekada me radhë.

Ti vajte në Vlorë dhe me tre gishtat lart të simbolit çetnik serb u rreshtove në krah të kriminelit Zani Çaushi… dhe të “palaçove” Ceka, Gjinushi e F. Çupi me shokë… turp për ty!

Ti erdhe në mes të Tiranës dhe ngjarjet e vitit ’97, ose më saktë luftën vëllavrasëse shqiptare të nxitur nga “evgjitët – komunistë shqiptaro–serbo–grekë”, i cilësove si një “revolucion demokratik të vonuar” (…???)

Tani dua sinqerisht dhe dashamirësisht ta kuptoj siç duhet atë fjalinë e fundit në amanet–testamentin tënd, i ndjeri Profesor, ku bëhet fjalë për borxhet mes teje dhe Kosovës, por edhe Shqipërisë… por ja që disa fakte historike dhe të vërteta kokëforta nuk më lënë dot të mendoj ndryshe, sepse borxhliu i madh më del ti, e jo Kosova dhe aq më pak Shqipëria./BS