Ballina Sport Bruno Fernandes shpjegon pse nuk u largua nga Manchester United

Bruno Fernandes shpjegon pse nuk u largua nga Manchester United

70
0

Mesfushori Bruno Fernandes ka zbuluar arsyen pse nuk u largua nga Manchester United verën e kaluar, pavarësisht një oferte marramendëse nga Arabia Saudite.

Kapiteni i “Djajve të Kuq” pranoi se propozimi financiar ishte shumë i madh, por theksoi se ai dhe bashkëshortja e tij zgjodhën të mbeten të përqendruar tek ëndrrat dhe suksesi sportiv, e jo thjesht te paratë.

“Qëndrova sepse mendova se ende kisha diçka për t’i dhënë klubit”, ka thënë Fernandes.

“Po, sigurisht, oferta nga Arabia Saudite, me gjithë ato para… ishte gjigante. Por gruaja ime i ka këmbët në tokë, ashtu si unë”.

Mesfushori portugez shtoi se familja e tij nuk është e interesuar të bëhet “më e pasura në botë”, por të jetojë një jetë të bukur dhe të realizojë objektivat që kanë vendosur.

“Ne nuk duam të jemi njerëzit më të pasur në botë… Ne thjesht duam të jemi ata që i kanë realizuar ëndrrat e tyre, që bëjnë një jetë të bukur me fëmijët dhe që përpiqen të arrijnë sa më shumë sukses të jetë e mundur.

Gruaja ime më tha: ‘A i ke realizuar ëndrrat e tua? A e ke arritur gjithçka që ke dashur?.

Kjo vërejtje e vogël më bëri ta kuptoj se ajo ishte në të njëjtën ide si unë.

Nuk doja të largohesha nga Manchester United kur ishim në vështirësi”, përfundoi ai.

Ndërkohë, Fernandes është afër të bëhet asistuesi më i mirë në historinë e Premier League, për të thyer rekordin e David Beckham.