Ballina Opinion Euro-pa që duam!

Euro-pa që duam!

49
0
Nga Auron Tare
Dje isha me një grup të vogël britanik në Qytetin Antik të Bylisit. Kisha kohë që nuk kisha shkuar në këtë zonë arkeologjike, të cilën e kam shumë për zemër. Është një nga vendet më të bukura të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të rëndësishme të kulturës ilire.
Disa kohë më parë u gjenda rastësisht në një debat i cili pati mjaft ndjeshmëri në publik. Pasi personaliteti i njohur italian Sgarbi bëri një vizitë në këtë qytet, i shoqëruar nga burokratë të Ministrisë së Kulturës, i mrekulluar nga pamja dhe madhështia, deklaroi se Bylisi ishte një qytet i madhërishëm grek. Askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk i shpjegoi zotërisë se çfarë ishte Bylisi. Me siguri nuk e kishin idenë.
Deklarata e tij bëri shumë zhurmë dhe, për të sqaruar situatën, nëpërmjet miqve të përbashkët munda të flas me Sgarbin dhe ta ftoja në një emision televiziv, ku së bashku me profesor Cekën, si arkeologu kryesor në këtë qytet, sqaruam jo vetëm për Sgarbin, por edhe për publikun, rëndësinë e madhe të Bylisit si një ngulim tipik ilir, dhe jo vetëm, por edhe me një kulturë të lartë për kohën.
Bylisi, diku në periudhën e Covid-it, u përfshi në një projekt të madh të BE-së për të krijuar me të vërtetë një park arkeologjik të standardeve të BE-së. Për këtë gjë, taksapaguesit evropianë, me bujari, kanë dhënë 6 milionë e 250 mijë euro.
Planet për një projekt kaq madhështor i morën përsipër italianët. Disa universitete italiane u angazhuan, duke sjellë specialistë dhe studentë. Si zakonisht, arkeologët dhe specialistët shqiptarë i lanë në fund të sallës. Fundi i fundit, italianët janë mjeshtër të administrimit të parqeve arkeologjike. Profesor Ceka apo profesor Skënderi, dy nga arkeologët që janë marrë me Bylisin që nga zbulimi i tij, nuk u cilësuan si mjaftueshëm të aftë për t’u përfshirë në konceptin e këtij projekti.
Projekti, nga ana burokratike, u administrua si zakonisht nga ministrja Kumbaro dhe Margariti, dy emra të ndritshëm të kulturës shqiptare.
Dy vite më parë mora pjesë në dy “konsultime me publikun” mbi konceptin e parkut të Bylisit. Pjesëmarrësit shqiptarë nga bashkia, “komuniteti” dhe arkeologjia as nuk i kishin parë dhe as dëgjuar materialet e prezantuara që të mund të gjykonin mbi to. Si pjesëmarrës në disa draft-plane menaxhimi, kam njohuritë e mjaftueshme për të kuptuar se plani i menaxhimit të Bylisit duhej të ishte përgatitur nga disa studentë të vitit të parë të administrimit të trashëgimisë. Ishte një prezantim jo vetëm fëminor, por edhe fyes për specialistët shqiptarë që merrnin pjesë në takim.
Pala italiane, me një arrogancë të dukshme, përtoi edhe të mbante shënim ato që u thanë nga disa pjesëmarrës shqiptarë. Ndërkohë, burokratët e Ministrisë së Kulturës, me të cilët fola pas takimit në konfidencë, më thanë se as nuk kishin idenë më të vogël se çfarë janë planet e menaxhimit të një siti arkeologjik.
Nejse, pas kaq kohe dhe me një përfshirje periferike në hallet e Bylisit, shkova për të parë se çfarë kishte ndodhur me fondin prej 6 milionë e 250 mijë euro të dhëna nga taksat evropiane.
Absolutisht nuk pashë asgjë. Asgjë nuk kishte ndodhur në këtë qytet madhështor ilir, edhe pas mbi 6 vjetësh që specialistët italianë dhe burokratët shqiptarë janë paguar me rroga tejet të larta për ndriçimin e këtij qyteti.
Pasi i rashë përqark hapësirës së pafund dhe pashë gërmimet e ekipit të profesor Cekës, i cili ende, në moshën mbi 80 vjeç, gërmon me lekë xhepi, iu drejtova daljes.
Në një pemë, afër një muri antik, dy fshatarë të zonës po rripnin një qengj.
Fiks një mbyllje simbolike pas një vizite në një qytet antik, ku “Euro-pa që duam” dhe burokracia shqiptare kanë rrjepur jo pak, por 6 milionë e 250 mijë euro për të bërë asgjë.