Redi Struga e nisi karrierën e biznesit në fillim të vitit 2012, kur së bashku me Rovena Metojan themeluan kompaninë Infrakonsult. Objekti i kësaj kompanie ishte studimi dhe projektimi i veprave inxhinierike.
Megjithatë zoti Struga nuk qëndroi shumë si ortak i kompanisë. Pak muaj pas themelimit të saj, ai ia dhuroi aksionet, babait të tij Bujar Struga.
Gjashtë vjet më vonë zoti Struga i rimorri mbrapsht aksionet e kompanisë nga i ati dhe përgjatë kësaj kohe Infrakonsult ishte një biznes relativisht modest, që gjeneronte mesatarisht më pak se 200 mijë euro fitim në vit, sipas bilanceve zyrtare të dorëzuara në Tatime.
Por në vitin 2021, Struga fillon të hyjë në lojën e madhe të tokave në jug. Fillimisht përmes themelimit të një kompanie me emrin MS Construction dhe më pas po në atë vit themelohet edhe South Adriatic Development.
Të dyja këto shoqëri kishin aktivitet zhvillimin e pronave në rivierën shqiptare. E para në zonën e Himarës dhe Radhimës, ndërsa e dyta e mpleksur me pronat e Zvërnecit.
Megjithatë ky ishte vetëm fillimi. Në 3 vitet më pas Struga themeloi vetëm ose në ortakëri edhe 7 kompani të tjera me të njëjtin fokus, ndërtimin. Përmes disa prej tyre ai ka marrë leje në zonat më të lakmuara të bregdetit, përfshirë objektin e quajtur Gjethja.

Kjo është një kullë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, në të cilën Struga është bashkëortak me Asllan Hastoçin dhe Shpëtim Xhaferajn.
Përmes një kompanie tjetër, Struga ka marrë lejen për ndërtimin e një kompleksi të madh në Radhimi të pagëzuar me emrin Fortesa. Ky do të jetë një komplesk hotelerie dhe banimi, i projektuar nga Davide Macullo, ku Struga është bashkëortak gjysmë për gjysmë me Roland Sinjarin.

Fortesa e Redi Struges dhe Ronald Sinjarit ne Radhime
Si u ngrit një biznesmen, deri dje i panjohur në një latifondist tokash në Jug deri në pikën që të bëhej një nga personat kyç në lëmshin e tokave të Zvërnecit? Kjo është një nga pyetjet kyçe në hetimin e SPAK.
Në maj të vitit të kaluar, Redi Struga themelon i vetëm kompaninë Albania Land Development. Vetëm gjashtë muaj më vonë, në 19 nëntor ai e shiti kompaninë Albania Land Development tek një kompani e quajtur Sazan Operations Holding me pronarë përfitues vëllezërit Khayyat nga Katari, për vetëm 1 milionë lekë ose pak më shumë se 10 mijë euro.

Shitja e Albania Land Development
Por Struga vijoi të mbetet administrator i kompanisë Albania Land edhe pse e shiti atë. Vetëm dy ditë pas shitjes, sipas dosjes së SPAK, Albania Land nënshkroi 10 kontrata për blerje tokash në Zvërnec. Firmat u hodhën të gjitha nga Struga, i cili vijonte të ishte administratori i kompanisë Albania Land.

Kontratat e blerjes se tokave dy dite pas shitjes
Por kjo nuk është e vetmja kompani e mpleksur me blerjen e tokave në Zvërnec. Edhe South Adriatic ka bërë të njëjtën gjë, ndonëse kjo është një tjetër nyje që SPAK duhet të zbardhë në hetimin e tij, pasi fijet e saj mund të çojnë në njerëz me pushtet, të përfshirë më parë në skandale.
Një personazh që deri më tani njihej vetëm dëmin e madh të projektimit të segmenti të ri Librazhd Përrenjas, që izoloi për javë të tëra gjithë Juglindjen e vendit, Redi Struga doli sërish në një tjetër çështje edhe më të madhe. Atë të Zvërnecit.
Hija e kujt është personazhi kontrovers Redi Struga, i mpleksur tashmë në disa skandale të mëdha, të cilat e çuan në dyert e SPAK-ut?/kapitali







