Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, denoncoi sot një seri skandalesh dhe abuzimesh që kanë shoqëruar qeverisjen e Edi Ramës.
Nga koncesionet e dyshimta në shëndetësi, inceneratorët që nuk funksionojnë, deri tek shembja e Teatrit Kombëtar dhe tenderat me ofertues të vetëm, çdo vit i qeverisjes së Ramës ka sjellë humbje për qytetarët.
Vangjeli theksoi se lidhjet e politikës me krimin e organizuar dhe afera të mëdha si McGonigal apo Porti i Durrësit kanë minuar besimin tek shteti dhe drejtësia. ‘Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë faturën e korrupsionit dhe propagandës qeveritare.’- theksoi Vangjeli
Vangjeli shpalli se legjitimiteti moral dhe besimi publik i Edi Ramës për të qeverisur janë shteruar. Dorëheqja e tij, thekson zëdhënësja, është domosdoshmëri për të shpëtuar Shqipërinë nga varfëria dhe abuzimi me pushtetin.
Deklarata e plotë:
Prej më shumë se një dekade, Shqipëria është zhytur në një seri të pandalshme skandalesh, aferash korruptive, koncesionesh klienteliste dhe akuzash të rënda që kanë shoqëruar qeverisjen e Edi Ramës.
Çdo vit i qeverisjes së tij është shënuar nga një dosje e re, një aferë e re, një skandal i ri që ka rënduar mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe ka minuar besimin tek shteti, drejtësia dhe demokracia.
Nga marrëveshja me CEZ-in, çështja e avionit të drogës në Divjakë, deri tek koncesionet famëkeqe të Check-Up-it, Sterilizimit, Laboratorëve dhe Hemodializës, shqiptarët kanë parë sesi miliarda lekë publike janë transferuar në duart e një grushti klientësh të pushtetit.
Nga dosjet 339 dhe 184, tek lidhjet e politikës me krimin e organizuar, nga skandali i ‘Unazës së Re’ tek shembja e Teatri Kombëtar, nga inceneratorët fantazmë tek databaza e patronazhistëve dhe rrjedhja masive e të dhënave personale të qytetarëve, çdo episod ka prodhuar më shumë korrupsion, më shumë pandëshkueshmëri dhe më shumë varfëri për shqiptarët.
Skandali ndërkombëtar McGonigal, çështja e Portit të Durrësit, investitorët strategjikë, kullat që mbijnë çdo ditë në Tiranë me kapitale të pajustifikuara, kontratat ‘1 euro’, marrëveshjet e errëta dhe tenderat me ofertues të vetëm kanë krijuar modelin më të pastër të kapjes së shtetit nga interesat klienteliste dhe oligarkike.
Edhe sot, dosja e inceneratorëve vazhdon të rëndojë mbi qeverinë, ndërsa hetime të reja për tendera infrastrukture dhe afera të tjera vazhdojnë të dalin në dritë.
Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë faturën e korrupsionit, propagandës dhe abuzimit me pushtetin.
Përballë kësaj historie të gjatë skandalesh, dështimesh dhe aferash korruptive, një gjë është e qartë:
Edi Rama nuk ka më as legjitimitetin moral, as besimin publik për të qeverisur Shqipërinë.
Edi Rama, koha jote ka përfunduar.
Dorëheqja është domosdoshmëri, dhe fati yt politik është i pashmangshëm. Në vijim disa nga aferat që lidhen me qeverinë Rama përgjatë viteve 2013-2026.
2013-2014
• Marrëveshja me CEZ.
• Vjedhja e Thesarit të Bankës së Shqipërisë.
• Çështja e avionit të drogës në Divjakë.
• Lazarati dhe debati për kanabizimin e vendit.
• Emërimet masive politike në administratë.
• Debatet për legalizimet dhe pronat.
2015
• Koncesioni i Check-Up.
• Koncesioni i Sterilizimit.
• Koncesioni i Laboratorëve.
• Debatet për PPP-të e para në shëndetësi.
• Akuzat për zgjerimin e kultivimit të kanabisit.
2016
• Koncesioni i Hemodializës.
• PPP-të në infrastrukturë.
• Tendera me ofertues të vetëm.
• Debatet për financimet publike në sektorin e shëndetësisë.
2017
• Çështja e ish-ministrit Saimir Tahiri.
• Dosja Habilaj.
• Akuzat për blerje votash në zgjedhjet parlamentare.
• Debatet për lidhje të politikës me grupe kriminale.
2018
• Dosja 339.
• Dosja 184.
• Skandali i ‘Unazës së Re’.
• Falsifikimi i dokumenteve në tenderin e Unazës.
• Protestat studentore dhe fondet universitare.
• Kontrata e rrugës Milot–Balldren.
• Debatet për Teatrin Kombëtar.
2019
• Menaxhimi i fondeve të rindërtimit pas tërmetit.
• Tenderat e rindërtimit.
• Kontratat emergjente pas tërmetit.
• Eko Parku i Porto Romanos.
2020
• Shembja e Teatrit Kombëtar.
• Kontratat emergjente të COVID-19.
• Blerjet e pajisjeve gjatë pandemisë.
• Inceneratori i Elbasanit.
• Inceneratori i Fierit.
• Inceneratori i Tiranës.
• Pagesat publike për inceneratorë që nuk funksiononin sipas pritshmërive.
2021
• Databaza e patronazhistëve.
• Publikimi i të dhënave personale të qytetarëve.
• Rrjedhja e të dhënave të pagave.
• Arrestimi i Lefter Kokës në dosjen e inceneratorëve.
2022
• Skandali McGonigal.
• Sulmi kibernetik ndaj sistemeve shtetërore.
• Projekti i Portit të Durrësit.
• Çështja Becchetti / arbitrazhi ndërkombëtar.
• Air Albania dhe debatet mbi financimin e saj.
• Tuneli i Llogarasë dhe debatet mbi koston.
2023
• Arben Ahmetaj dhe akuzat për inceneratorët.
• Investitorët Strategjikë.
• Amnistia Fiskale.
• Kullat në Tiranë dhe burimi i kapitaleve.
• Kontratat ‘1 euro’.
2024
• Vijimi i hetimeve për inceneratorët.
• Marrëveshja Itali–Shqipëri për emigrantët.
• Debatet mbi legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
2025–2026
• Debatet për Sazanin dhe investimet strategjike.
• Porto Romano dhe porti i ri tregtar.
• Hetime të reja për tendera infrastrukture.
• Vijimi i dosjes McGonigal.
• Vijimi i dosjes së inceneratorëve.
• Debatet për Portin e Durrësit dhe kompanitë offshore.







