Ballina Politika Njeriu i Sali Berishës, Shkëlqim (Çim) Hoxha, ortak me Ergys Agasin në...

Njeriu i Sali Berishës, Shkëlqim (Çim) Hoxha, ortak me Ergys Agasin në “Equos Resort”

134
0

Një emër i rëndësishëm në Partinë Demokratike dhe një nga personat e konsideruar të afërt me kryedemokratin Sali Berisha, rezulton të jetë ortak me Ergys Agasin në kompleksin luksoz “Equos Resort”, i cili është sekuestruar nga SPAK. Burime për Shqip.com bëjnë me dije ekskluzivisht se bëhet fjalë për Shkëlqim Hoxhën, ish-drejtor i Lojërave të Fatit gjatë qeverisjes së PD-së, i njohur për lidhjet e tij të afërta me Berishën.

Shqip.com mëson se, sipërmarrësi Klodjan Allajbeu e ka shitur “Equos Resort” disa vite më parë, ndërsa blerësit janë identifikuar si persona të lidhur me Ergys Agasin, i cili është shpallur në kërkim në kuadër të skandalit të tenderave të AKSHI-t. Aktualisht, një prej pronarëve të resortit rezulton të jetë një ish-kandidat i PD-së për kryetar bashkie në Rrogozhinë, Shkëlqim (Çim) Hoxha, bashki të cilën nuk arriti ta fitonte 2 herë radhazi përballë Edison Memollës. Madje, në zgjedhjet e 11 majit 2025, pasi vetë rezultoi dështim në Rrogozhinë, Çim Hoxha kandidoi vajzën e tij, Loranca Hoxha për deputete në listat e koalicionit të kryesuar nga PD, “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në Qarkun e Tiranës.

Angazhimi politik i këtij personi, së bashku me përfshirjen familjare në strukturat e së djathtës, por njëkohësisht edhe aktiviteti i tij në biznes me segmente të lidhura me të majtën, ngre pikëpyetje të forta. Kjo bëhet edhe më e ndjeshme në kontekstin e akuzave publike të Sali Berishës, i cili ka pretenduar se pas tenderave të AKSHI-t qëndron familja e kryeministrit Edi Rama, madje bashkëshortja e tij Linda Rama. Ndërsa nga ana tjetër një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, Shkëlqim Hoxha është bashkëpronar me Ergys Agasin. Shqip.com do të faktojë me dokumente lidhjen mes Çim Hoxhës dhe Ergys Agasit.

Ndërkohe, Ergys Agasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për përfshirje në raste të pengmarrjes dhe shantazhimit të biznesmenëve konkurrentë, të cilët, sipas pretendimeve të SPAK, janë detyruar të tërhiqen nga procedurat tenderuese.

Megjithatë, ajo që e bën edhe më kompleks këtë rast është fakti se megaoperacioni i SPAK, i cili çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e rreth 40 milionë eurove pasuri të lidhura me Ergys Agasin, Mirlinda Karçanajn dhe Ermal Beqirin, ka nxjerrë në pah lidhje që shkojnë përtej kufijve tradicionalë politikë.

Në të kaluarën, Agasi është përfolur për akses dhe ndikim edhe në kampin e djathtë, përmes individëve pranë tij, me të cilët dyshohet se ndan interesa dhe përfitime.

Megaoperacioni i SPAK nxori në dritë një pasuri marramendëse prej rreth 40 milionë eurosh, e lidhur me Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe Mirlinda Karçanajn. Kjo pasuri përfshinte vila luksoze, apartamente, sipërfaqe të konsiderueshme trualli, automjete të shtrenjta dhe prona të tjera me vlerë të lartë tregu.

Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një portofol asetesh të ndërtuar ndër vite, i cili ngre dyshime të forta mbi burimin e këtyre pasurive dhe lidhjet e mundshme me abuzime në tendera publikë.

Sekuestrimi i këtyre aseteve konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të SPAK ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik, ndërsa hetimet vijojnë.