Ballina Kosovë Abdixhiku: Republika nuk mund të merret peng

Abdixhiku: Republika nuk mund të merret peng

67
0

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit politike, duke e cilësuar situatën si “natë të rëndë për Republikën” dhe duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, tentim të përmbysjes së rendit kushtetues dhe imponim të vullnetit politik jashtë standardeve demokratike.

Ai ka deklaruar se për këto veprime do të ketë përgjegjësi politike dhe institucionale, duke shtuar se “Republika nuk mund të merret peng”

Abdixhiku gjithashtu bëri publike 15 nënshkrimet e deputetëve të LDK-së për kandidatin e partisë, duke theksuar se ato ishin pjesë e një propozimi për marrëveshje politike të cilën, sipas tij, Vetëvendosje e refuzoi.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Sonte, ishte një natë e rëndë për Republikën. E paimagjinueshme për shtetin e ri demokratik e për ata që e duan këtë vend si shtet normal. Sonte, Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues, duke imponuar vullnet parapolitik kundrejt çdo standardi demokratik. Për këtë akt të sontëm do të ketë pergjegjësi politike, institucionale e kombëtare. Republika nuk mund të merret peng dhe nuk do ta lejojmë të merret peng nga ata që e trajtojnë si leckë.

Sonte, po ashtu, për hir të transparencës së plotë, para qytetarëve të vendit tim; dhe duke qenë se është folur kaq shumë për 15 nënshkrimet e LDK-së, i bëra publike ato. Këto janë 15 nënshkrimet e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kandidatin e LDK-së, të dhëna mbi bazën e propozimit tim për një marrëveshje politike që u refuzua sot nga Lëvizja Vetëvendosje në një seancë përplot propagandë.

Mes shtetit ‘karate’, propagandës e mashtrimit, ne zgjedhim Republikën! Të përhershmen, të përjetshmen!