Ballina Rajoni Plagosi me pushkë gjahu 5 persona, arrestohet pas më shumë se 5...

Plagosi me pushkë gjahu 5 persona, arrestohet pas më shumë se 5 orësh kërkime, 89-vjeçari

68
0

Një burrë 89-vjeçar sulmoi sot (28 prill) zyrat qendrore të EFKA-s (Enti i Sigurimeve Kombëtare Shoqërore të Greqisë), në Kerameikos të Athinës.

Ai qëlloi me pushkë gjahu, duke plagosur një punonjës në rrethana e motive që ende mbeten enigmë, pastaj mori një taksi duke fshehur armën. Më pas shkoi në Gjykatën e Apelit të Athinës dhe qëlloi me të njëjtën armë 4 nëpunëse që gjithashtu u plagosën, por pa rrezik jete.

“Protothema” informon se 89-vjeçari që ‘mbolli’ terror në EFKA dhe në Gjykatën e Apelit Athinë, u arrestua pas më shumë se 5 orësh ndjekjeje në Patra.

Sipas informacioneve, i moshuari u pa pranë stacionit të autobusëve KTEL, ndërsa mbante me vete një revolver të kalibrit 38 të mbushur, por u neutralizua pa probleme nga agjentët.

“Mbledhësi i mbeturinave 89-vjeçar, i cili më parë hyri me forcë në një ndërtesë të EFKA-së në Kerameikos dhe qëlloi një punonjës, më pas shkoi në Gjykatën e Apelit të Athinës, ku qëlloi dhe plagosi katër gra.

Kjo është një distancë prej afërsisht pesë kilometrash, të cilën, sipas informacioneve fillestare, ai e përshkroi me taksi, me pushkën e fshehur në xhaketë”, informon “Protothema”.

Dëshmitarët rrëfyen momentet e panikut dhe terrorit që përjetuan nga të shtënat me armë dhe kaosi.

Autori i krimit u shpall në kërkim pas arratisjes dhe u kap pasditen e sotme në zonën e Patras. Ai kishte paralajmëruar krimin një ditë më parë, por askush nuk e mori seriozisht. Të njëjtat informacione tregojnë se ai është një person me probleme psikologjike.