Ballina Ekonomia Drafti, borxhet e energjisë bëhen si kreditë, debitorëve mund t’u bllokohen edhe...

Drafti, borxhet e energjisë bëhen si kreditë, debitorëve mund t’u bllokohen edhe pronat

61
0

Projektligji i ri për sektorin e energjisë elektrike sjell një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si do të trajtohen detyrimet e papaguara të konsumatorëve, sidomos për bizneset. Përveç faktit që fatura e energjisë mbetet titull ekzekutiv, drafti u jep furnizuesve një instrument të ri: vendosjen e barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të debitorëve.

Sipas parashikimeve të reja, çdo klient fundor është i detyruar të paguajë faturat sipas kontratës së furnizimit. Në rast mospagese, furnizuesi nuk kufizohet vetëm te ndërprerja e energjisë apo ndjekja e procedurave përmbarimore, por mund të shkojë një hap më tej, duke siguruar detyrimin përmes pasurisë së klientit.

Ligji përcakton një shkallëzim të qartë të masave. Fillimisht, furnizuesi njofton me shkrim klientin për detyrimin dhe masat që do të ndërmarrë. Më pas mund të nisë procedurën e ndërprerjes së energjisë dhe paralelisht të kërkojë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në gjykatë, duke u mbështetur në faktin që fatura e energjisë njihet si titull ekzekutiv.

Risia kryesore lidhet me rastet kur detyrimi i papaguar është i lartë. Për klientët jofamiljarë, nëse borxhi kalon nivelin prej 1.5 milionë lekësh, furnizuesi ka të drejtë të kërkojë vendosjen e barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji. Kjo do të thotë se prona mund të bllokohet si garanci për shlyerjen e detyrimit.

Procedura nuk është e menjëhershme. Ligji parashikon disa hapa mbrojtës për debitorin. Klienti duhet të njoftohet me shkrim për fillimin e procedurës dhe ka 30 ditë kohë për të kundërshtuar. Furnizuesi është i detyruar të shqyrtojë ankesën brenda 15 ditësh. Nëse konstatohet se detyrimi është paguar ose ankesa është e drejtë, procedura ndalet.