Ballina Ekonomia Raporti i BB, investimet e huaja po krijojnë më pak vende pune...

Raporti i BB, investimet e huaja po krijojnë më pak vende pune në Shqipëri

65
0

Shqipëria vijon të mbetet një nga përfitueset kryesore të investimeve të huaja direkte në rajon në raport me madhësinë e ekonomisë, por raporti i Bankës Botërore nxjerr në pah rënien e ndjeshme të vendeve të punës që krijohen nga këto investime.

Nëse në periudhën 2010–2014 investimet e huaja gjeneronin rreth 9,000 vende pune në vit, në vitet 2022–2025 ky numër ka rënë në rreth 3,700 vende pune në vit, duke reflektuar një tkurrje të fortë të efektit të tyre në punësim.

Kjo rënie lidhet drejtpërdrejt me ndryshimin e strukturës së investimeve. Shqipëria po kalon gradualisht nga sektorë tradicionalë, si tekstilet, drejt aktiviteteve më teknologjike dhe me produktivitet më të lartë, ku tashmë pajisjet elektrike janë bërë nënsektori kryesor i IHD-ve. Ky transformim ka rritur cilësinë e investimeve, por njëkohësisht ka ulur numrin e vendeve të punës që ato krijojnë, pasi projektet janë më kapitale dhe kërkojnë më pak fuqi punëtore.

Një tjetër tregues që e përforcon këtë prirje është rritja e madhësisë së projekteve dhe e investimit për çdo vend pune. Pas vitit 2020, projektet e investimeve në Shqipëri janë bërë më të mëdha dhe më të përqendruara në kapital, ndërsa shpenzimi për punonjësit është rritur ndjeshëm. Kjo tregon se investimet po orientohen drejt aktiviteteve me vlerë më të lartë të shtuar, por me ndikim më të kufizuar në punësim masiv.

Në të njëjtën kohë, edhe pse numri i vendeve të punës është ulur, cilësia e tyre është përmirësuar. Rreth 80% e vendeve të punës të krijuara nga investimet e huaja në Shqipëri janë në sektorë me vlerë të lartë të shtuar, çka sugjeron një zhvendosje drejt aktiviteteve më të sofistikuara ekonomikisht. Megjithatë, raporti thekson se kjo nuk e kompenson plotësisht efektin negativ të rënies së numrit total të vendeve të punës.