Gjatë bashkëbisedimit të tij me qytetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh se gjatë pjesëmarrjes në punimet e forumit të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë në Zagreb, Shqipëria ka qenë në qendër të debatit politik ndërkombëtar, për shkak të problematikave të rënda që, sipas tij, po shoqërojnë zhvillimet në vend.
Berisha theksoi se në këtë forum, ku u miratua edhe rezoluta për Shqipërinë me unanimitet nga 43 parti anëtare, vendi ynë është trajtuar si një rast shqetësues për gjendjen e demokracisë, zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit, duke u cilësuar në dokument si “autokraci elektorale”.
Ai u shpreh se rezoluta ngre akuza të forta për kapje të shtetit, korrupsion në nivelet më të larta të qeverisjes dhe lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, duke përmendur gjithashtu pengimin e hetimeve dhe presionin ndaj drejtësisë, si dhe goditjen e opozitës dhe drejtuesve të saj.
Berisha shtoi se në diskutimet e zhvilluara në Zagreb, përfaqësues të partive simotra kanë shprehur shqetësim serioz për situatën në Shqipëri, ndërsa rezoluta e miratuar, sipas tij, përforcon qëndrimin se vendi po përballet me një kthim prapa në standardet demokratike dhe procesin e integrimit europian.
Fjala e tij:
Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërt të gjithë ju qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë bisedë javore në rrjetet e mia sociale me ju.
Mbrëmë vonë unë u ktheva nga Zagrebi ku zhvilloi punimet samiti apo forumi i Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, organizata politike botërore e partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, e cila ka për parti kryesore Partinë Republikane të SHBA.
Gjatë qëndrimit në punimet e këtij forumi të lartë, mund t’u them se Shqipëria zuri një vend për problematikat e saj madhore shumë herë më të madh se sa ç’është në realitet si vend.
Shqipëria ka hyrë tashmë në axhendën e kësaj organizate pasi që në dhjetor të vitit 2024, miratoi në Uashington një rezolutë në të cilën ajo dënonte rëndë gjendjen e krijuar nga qeveria shqiptare, narkoshtetin, dhunimin e zgjedhjeve dhe mbështeste fuqishëm PD-në.
Por përsëri kësaj radhe, Shqipëria ishte në krye të listës në debatin politik për shkak të problematikave të mëdha që paraqet dhe për shkak të shkarjeve të rënda, kthimit prapa të demokracisë dhe standardeve të saj.
Shqipëria në këtë forum të lartë u përfaqësua nga unë, nga ana e PD, zonja Vokshi, zoti Këlliçi, zoti Ceno, por është anëtar i IDU edhe Partia Republikane, e cila përfaqësohej nga zoti Fatmir Mediu.
Në të gjitha qëndrimet tona, ne paraqitëm para presidentit të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë dhe përfaqësuesve të partive simotra, zhvillimet, shkarjet e rënda, paralizën e shtetit ligjor, mburojën e Edi Ramës për vjedhjet dhe korrupsionin e qeveritarëve të tij dhe lidhjet tejet e rrezikshme me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
Mund të them se shqetësimi është i madh dhe se gjithnjë e më shumë komuniteti ndërkombëtar po ndërgjegjësohet se në Shqipëri është krijuar një regjim i rrezikshëm jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Në këtë kuadër, dua t’u informoj se pati një panel të veçantë kushtuar zgjerimit të BE dhe vendeve të rajonit, panel që u drejtua nga një zyrtar i lartë i Institutit Republikan amerikan, dhe në të cilën morën pjesë ministrat e jashtëm të Maqedonisë, Bosnjes, Kroacisë dhe PD u përfaqësua nga unë.
U debatua gjerësisht mbi faktorët që pengojnë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe unë shpreha pikëpamjet e mia se farsa elektorale, përqendrimi i pushteteve në duart e një personi, lidhjet e tmerrshme me kartelet e drogës dhe të krimit, nismat aberrative rajonale Rama-Vuçiç, janë faktorë që së bashku frenojnë procesin e integrimit në BE.
Por, pas debateve të cilat zgjuan shumë interes në atë seancë me pyetje, me diskutime, dje paradite u mblodh komiteti ekzekutiv i Bashkimit Ndërkombëtar për Demokraci, i cili përbëhet nga kryetarët e partive simotra, anëtare të kësaj organizate.
Mund t’u them se punimet e komitetit u çelën me rezolutën për Shqipërinë.
Ishte pra Shqipëria në krye të rendit të ditës.
Ishte Shqipëria në krye të rendit të ditës për faktin se është shpallur tashmë një autokraci elektorale apo diktaturë autoritare siç thuhet ndryshe.
Ishte Shqipëria sepse është vendi i farsave zgjedhore të shëmtuara.
Ishte Shqipëria sepse është vendi i karteleve të rrezikshme të drogës, i mburojës së korrupsionit, mbrojtjes së korrupsionit qeveritar nga kryeministri.
Ishte Shqipëria sepse Edi Rama është bërë famëzi për lidhjet e tij me kartelet e drogës.
Ishte Shqipëria sepse është vendi me të burgosur politikë dhe persekutime politike.
Dua t’u informoj të dashur miq se u solla në këtë forum çështjen e shëmtuar, kafazin e qelqit që u përdor për të terrorizuar shqiptarët nga Edi Rama, bastardi i bllokmenëve hoxhistë, i cili njëlloj si i ati i tij që firmoste varjen në litar, sjell kundërshtarin e tij politik në kafaz qelqi në gjykatë, njëlloj siç i sillte Enver Hoxha kundërshtarët e tij politikë 45 vite më parë.
Natyrisht diskutimet qenë jo të pakta dhe mbështetën plotësisht diskutimet tona dhe si konkluzion rezoluta e parë që u miratua në punimet e forumit të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, komitetit ekzekutiv të këtij forumi, ishte rezoluta për Shqipërinë.
Ndaj dhe unë duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, dua të ndaj tekstin e kësaj rezolute me të gjithë ju:
Rezolutë për Shqipërinë
Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU),
Duke rikujtuar angazhimin e Shqipërisë për integrimin euro-atlantik, anëtarësimin e saj në NATO, dhe duke rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin në European Union;
Duke marrë në konsideratë Raportin e V-Dem Institute (2026), që e klasifikon Shqipërinë si “autokraci elektorale”; gjetjet e OSCE/ODIHR dhe Transparency International (Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025: 39/100, me rënie prej 3 pikësh dhe 11 vendeve);
I shqetësuar nga moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mohimi i të drejtave kushtetuese të opozitës në Parlament;
Ky bashkim vendos si vijon:
1. Integrimi Europian
* Paralajmëron se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian praktikisht është ngadalësuar për shkak të pengesave nga qeveria, korrupsionit të përhapur sistemik, kapjes së shtetit dhe lidhjeve midis krimit të organizuar dhe niveleve më të larta të pushtetit;
* Dënon pengimin e vazhdueshëm të ndjekjes penale të korrupsionit në nivele të larta dhe abuzimet masive në prokurime publike, ndërkohë që shumica parlamentare socialiste mbron mungesën e llogaridhënies;
* Vëren hetimet që implikojnë ministra dhe zyrtarë të lartë në të gjitha nivelet, konfirmojnë korrupsionin sistemik që po ngadalëson integrimin në BE;
* Mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbi bazën e meritës, pa anashkaluar asnjë kriter;
1. Siguria dhe Rreziqet e Jashtme
* Paralajmëron se dobësimi i institucioneve e ekspozon Shqipërinë ndaj ndikimeve keqdashëse, veçanërisht nga Rusia dhe Kina; thekson infiltrimin e krimit të organizuar, kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike si rreziqe për pjesën juglindor të NATO;
* Shpreh shqetësim të thellë për kapjen e infrastrukturës strategjike digjitale, veçanërisht brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke përfshirë zyrtarë të lartë dhe persona me lidhje me krimin e organizuar, si dhe raste të raportuara të rrëmbimeve që përfshijnë zyrtarë dhe/ose biznesmenë;
* Thekson rreziqet ndaj sistemeve shtetërore, keqpërdorimin e të dhënave personale, ndërhyrjen në zgjedhje dhe cenimin e bashkëpunimit me NATO/BE;
* Bën thirrje për transparencë, hetime të pavarura dhe masa urgjente mbrojtëse;
* I bën thirrje vendeve të Ballkanit, anëtare të NATO-s, si dhe partnerëve, që të bashkëpunojnë përmes rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, me qëllim forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të pengimit politik, si dhe arritjen e ekonomive të shkallës;
1. Zgjedhjet
* Konstaton se zgjedhjet parlamentare nuk përmbushën standardet ndërkombëtare, dhe u karakterizuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve shtetërore, zhdukja e kufirit shtet–parti, presioni/intimidimi ndaj votuesve dhe ndërhyrja e elementëve kriminalë;
* Bën thirrje për reformë konsensuale, zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, mbrojtje të pluralizmit dhe të drejtës për koalicione parazgjedhore, si dhe përmbysjen e ndryshimeve kushtetuese të njëanshme;
* Mbështet modelin e një qeverie kujdestare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme;
1. Drejtësia Selektive dhe Ndjekjet Penale të Motivuara Politikisht
* Shpreh shqetësim për 200,000 çështje gjyqësore të prapambetura dhe vonesa në gjykim prej 8–15 vitesh, krahasuar me 18,000 çështje dhe vonesa prej 3–4 vitesh para reformës;
* Dënon presionin politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët nga Kryeministri; drejtësinë selektive; si dhe ndjekjet penale të motivuara politikisht, përfshirë ndaj Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatmir Mediut, në shkelje të procesit të rregullt ligjor;
1. Reforma Territoriale
* Dënon reformat e njëanshme që minojnë konsensusin dhe mundësojnë kontrollin politik;
* bën thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse dhe të decentralizuar, në përputhje me standardet europiane;
Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë:
* Pohon se nuk mund të ketë përparim drejt Bashkimit Europian pa zgjedhje të lira, shtet të së drejtës dhe pluralizëm;
* U bën thirrje autoriteteve të ndalin pengesat, të rikthejnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës, si dhe të respektojnë rrugën euro-atlantike të Shqipërisë.
Këto ishin pra çështjet, të cilat i trajtoi gjerësisht rezoluta e miratuar me unanimitet të plotë nga 43 partitë anëtare të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë në Zagreb.







