Në vetëm një muaj në krye të Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka kryer rreth 70 lëvizje në poste të rëndësishme brenda strukturës me 12 mijë efektivë.
Historikisht, emërimi i drejtuesit të ri të policisë është pasuar me ndryshime zinxhir në hierarkinë e uniformave blu. Por që në takimet e para prezantuese në qarqe, Hita ua ka bërë të qartë vartësve, se mungesa e rezultateve nuk do të tolerohet.
Urdhrat e ndryshimeve kanë ardhur në disa faza dhe kanë prekur kryesisht zëvendësdrejtorët e qarqeve në Tiranë, Fier, Lezhë, Shkodër, Elbasan. Në qendër lëvizje pati te Antiterrori dhe Operacionalja. Nuk mbetën pa u prekur dhe drejtoritë e kufirit, të cilat funksionojnë të ndara nga qarqet.
Deri më tani kjo është hapësira në të cilën Hitaj mund të veprojë vetë. Situata paraqitet e komplikuar me drejtuesit e qarqeve, të cilat janë emëruar në bazë konkurrimi sipas ndryshimeve ligjore të pak viteve më parë. E vetmja rrugë për të ndikuar mbetet kërkesa për rezultate të larta, apo ndëshkimi në raste dështimi. Siç duket ka qenë dhe rasti i Lezhës, ku grupet e policisë të dërguara nga Tirana, gjetën dy ambiente ku zhvilloheshin lojëra të fatit. Zbulim që përcaktoi dhe fatin e mëpasshëm të vetë drejtorit Islor Islami, i detyruar të japë dorëheqjen.
Ngjashëm situata është dhe me shefat e komisariateve, ku në fakt Hita ka ndërhyrë vetëm në raste të kufizuara. Në Peqin ku komisariati u shkri pas zbulimit të një magazine të kthyer në shtëpi bari. Dhe në komisariatin dy në Tiranë.
Me garë zgjidhen dhe drejtuesit e katër departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme.
Këtu Hita do të duhet të hapë procesin e konkurrimit. Sepse që prej ndryshimeve ligjore të shtatorit 2024 për Policinë e Shtetit, nuk është zhvilluar asnjë garë. Një proces i hapur disa muaj më parë u anulua pas padisë së ish-drejtoreshës së BKH-së, Aida Hajnaj, e cila kërkonte rikthimin në polici në postin që mbante më parë. Gara pritet të zhbllokohet në muajin qershor, duke hapur rrugën për emra të rinj në këtë nivel.







