Drejtoria Vendore e Kadastrës Tirana Rurale II mban pezull kalimin e pronësisë për qindra përfitues. Kjo është një nga gjetjet e KLSH në një auditim të fundit të zhvilluar në këtë drejtori.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2025, gjatë periudhës së verifikuar janë lëshuar 3,587 leje legalizimi për objekte informale në këtë drejtori. Nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se janë lëshuar 598 fatura për parcelat ndërtimore të objekteve të legalizuara, të cilat përfshijnë një sipërfaqe totale prej 687,781 metra katrorë.
Megjithatë, auditimi konstaton se një pjesë e konsiderueshme e këtyre parcelave ndërtimore vijojnë të jenë në pritje të përfundimit të procedurave të kalimit të pronësisë. Konkretisht, 104 parcela ndërtimore me sipërfaqe totale 119,376 metra katrorë janë pajisur me leje legalizimi, por për to është shënuar se kalimi i pronësisë do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në bazë të çmimeve të tokës të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 89, datë 03.02.2016 për hartën e vlerës së tokës, për këto parcela rezulton një vlerë që duhet të paguhet nga subjektet përfituese prej 17,499,393 lekësh. Auditimi thekson se për këto raste nuk janë marrë masa për zbatimin e rekomandimeve të mëparshme dhe detyrimet financiare vijojnë të mbeten të papaguara.
Raporti i auditimit rekomandon që Drejtoria Vendore e Kadastrës Tirana Rurale II, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të ndjekë të gjitha procedurat administrative për përfundimin e procesit të kalimit të pronësisë dhe për arkëtimin e vlerës së parcelave ndërtimore brenda afateve ligjore. /ekofin.al







