Ballina Ekonomia Qeveria emeton 1.8 mld lekë obligacione 20 vjeçare, interesi rezultoi 6.5%

Qeveria emeton 1.8 mld lekë obligacione 20 vjeçare, interesi rezultoi 6.5%

62
0

Qeveria shqiptare mori 1.8 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm përmes emetimit të obligacioneve 20 vjeçare. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në ankandin e zhvilluar një ditë më parë, norma e interesit rezultoi 6.5 për qind, ndërkohë që Ministria e Financave pranoi 22 nga 24 kërkesat konkurruese.

Sipas të dhënave, qeveria kishte parashikuar të merrte 2 miliardë lekë borxh përmes obligacioneve 20 vjeçare. Në total investitorët ofruan 2.08 miliardë përmes 24 kërkesave konkurruese, por 2 kërkesa nuk u pranuan për shkak të interesit të lartë, rrjedhimisht ministria e Financave pranoi vetëm 1.8 miliardë lekë.

Obligacionet 20 vjeçare janë instrumenti më afatgjatë i letrave me vlerë në Shqipëri. Ankandi i fundit i tyre, para atij të një ditë më parë, ishte zhvilluar në fillim të janarit, ku qeveria mori 1.5 miliardë lekë më normë interesi 6.72 për qind.

Këtë herë interesi ka rënë më tej në 6.5 për qind, edhe pse paradoksalisht uria e tregut për këtë instrument nuk ka qenë shumë e madhe.

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara nga qeveria shqiptare. Ato janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë dhe veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit.

Por edhe individët mund të investojnë kursimet e tyre në këto instrumenta, të cilat garantojnë norma më të larta interesi, por njëkohësisht detyrojnë ngrirje më të gjatë të fondeve në kohë.

Për krahasim, interesat e obligacioneve 5 dhe 3 vjeçare aktualisht luhaten rrethin nivelit 3.8 dhe 3 për qind respektivisht, ndërsa ato të bonove 1 vjeçare janë rreth 2.5 për qind.