Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Besançon në Francë, ku një 36-vjeçare shqiptare u gjet pa shenja jete në banesën e saj. Policia franceze kanë vënë në pranga bashkëshortin e saj, i cili dyshohet për përfshirje në ngjarje.
50-vjeçari nuk ishte një person i panjohur për autoritet, pasi rezultonte me precedentë për dhunë në familje ndaj viktimës. Megjithatë, ai nuk kishte një urdhër ndalimi që e kufizonte të kontaktonte me të.
Sipas mediave franceze, ishte vetë 50-vjeçari ai që njoftoi shërbimet e urgjencës, i shoqëruar nga vajza e tij. Ai konsiderohet personi i fundit që ka parë gjallë 36-vjeçaren, ndërsa ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e saj.
Hetimet e para tregojnë se viktima kishte shenja të një sindrome asfiksie. Sipas prokurorisë së Besançon, kjo mund të jetë shkaktuar “ose nga marrja e medikamenteve, ose nga ndërhyrja e një personi të tretë”.
Prokuroria ka nisur një hetim për “vrasje të bashkëshortit/bashkëshortes”, por në këtë fazë hetuesit thonë se ka ende pak elementë që e konfirmojnë pistën e femicidit. Në apartament nuk janë konstatuar shenja përleshjeje, as gjurmë gjaku apo dëmtime të dukshme në trupin e viktimës, përveç një shenje të vogël në qafë, e cila ende nuk konsiderohet përcaktuese.
Autopsia dhe analizat toksikologjike, të planifikuara për t’u kryer ditën e sotme, pritet të hedhin më shumë dritë mbi shkakun e vdekjes. Çifti, me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, kishin disa fëmijë së bashku. Ende nuk është zbardhur identiteti i viktimës, apo bashkëshortit të saj.







