Ballina Europë Mafia shqiptare dhe klani i frikshëm ‘Di Lauro’/ Një pakt i hekurt...

Mafia shqiptare dhe klani i frikshëm ‘Di Lauro’/ Një pakt i hekurt për drogën në Itali

70
0

Kur bëhet fjalë për trafik droge dhe vazhdimin e veprimtarive të paligjshme, krimi i organizuar mund të ndryshojë pamje, por jo zakonet. Pavarësisht goditjeve të forta nga operacionet e forcave të rendit, arrestimeve që kanë prerë kokat drejtuese dhe dënimeve gjyqësore, klani ‘Di Lauro’ nuk dorëzohet, madje po përmirëson strategjitë e tij kriminale.

Këtë e dëshmon hetimi i fundit i zhvilluar nga karabinierët e komandës provinciale të Napolit, të koordinuar nga prokurorët e Drejtorisë Antimafia të Napolit, që çoi në arrestimin e 14 personave.

Skenari

Një grup trafikantësh droge të lidhur me klanin ‘Di Lauro’ kishte arritur të krijonte marrëdhënie me botën e trafikut ndërkombëtar të drogës, duke ndërtuar një rrjet të dendur me mafien shqiptare, nga e cila blinte drogën: ky është skenari ku lëvizën karabinierët e Njësisë Hetimore të Napolit.

Në krye të grupit kriminal ishte 55-vjeçari Raffaele Paolo, i njohur me nofkën “O’ rockets”, i cili pas lirimit nga burgu më 29 shtator 2019, u rikthye në koordinimin e shpërndarësve për shitjen me pakicë dhe shpërndarjen në shtëpi të kokainës dhe hashashit, duke bërë gjithashtu marrëveshje me grupe të tjera kriminale në Napoli. Dhe jo vetëm kaq.

Ky person me precedentë penalë ishte në gjendje të qarkullonte sasi të mëdha kokaine përgjatë aksit Secondigliano– Reggio Emilia.

Një operacion i rëndësishëm, që bëri të mundur arrestimin e organizatorëve, shpërndarësve dhe korrierëve të drogës. Hetimi përfshin periudhën 2020–2023 dhe akuzat janë – në nivele të ndryshme përgjegjësie – organizatë kriminale për trafik droge dhe posedim droge me qëllim shitjeje.

Grupi lidhej me Vincenzo Di Lauron, djali i ish-bosit historik Paolo Di Lauro, i njohur si “Ciruzzo o’ milionario” (prej kohësh në burg nën regjimin 41-bis). Edhe pse grupi vepronte në Secondigliano, midis viteve 2019 dhe 2020 arriti të zgjerohej përtej periferisë veriore, duke garantuar furnizime droge edhe drejt lagjes Vasto-Arenaçia.

Gjatë hetimeve u arrestuan gjashtë persona të lidhur me grupin e shpërndarësve të drejtuar nga Raffaele Paolo dhe u sekuestruan disa kilogramë drogë, mes tyre kokainë dhe hashash./  IL MATTINO