Ish-ylli i reality show-t britanik “The Only Way Is Essex” (TOWIE), Jake Hall, është gjetur i vdekur në një vilë pushimesh në Spanjë, me lëndime të rënda në kokë, pas një nate ku raportohet se kishte qenë duke festuar. Sipas raportimeve, 35-vjeçari u gjet nga policia në një pellg, ndërsa plagët fatale në kokë dyshohet se janë shkaktuar nga copëza xhami. Hetimet janë përqendruar te teoria se bëhet fjalë për një aksident tragjik, ku ai mund të ketë goditur kokën në një derë xhami (madje përmendet se mund ta ketë thyer atë).
Një burim thotë se Hall kishte qenë “duke festuar gjithë natën” dhe vendosi të vazhdonte festën edhe në shtëpinë me qira. Sipas të njëjtit burim, ai mund të ishte i irrituar, ndoshta nga alkooli dhe substanca të tjera, dhe se në një moment gjërat “u bënë agresive”, duke u aluduar edhe për mundësinë që të ketë tentuar të dëmtojë veten duke përplasur kokën në objekte. Fqinjët raportuan se dëgjuan zhurma të forta, aq sa sipas tyre “dridheshin muret”, vetëm disa orë para se policia të mbërrinte.
Një fqinj i tha medias lokale Ultima Hora se grupi dukej “relativisht normal”, por se u frikësua nga pamja e njërit prej personave në shtëpi. Ai pretendon gjithashtu se dëgjoi biseda në anglisht për blerje prone në zonë. Policia ka marrë në pyetje katër burra dhe dy gra që po qëndronin në të njëjtën shtëpi. Ata kanë deklaruar se kishin dalë në mbrëmje dhe më pas vazhduan festën pasi u kthyen në orët e para të mëngjesit. Autoritetet nuk kanë bërë publike kombësitë e personave të tjerë. Policia u thirr në pronën me qira në Santa Margalida, në veri të ishullit, rreth orës 7:30 të mëngjesit të së mërkurës.
Deri tani nuk raportohet për arrestime, ndërsa një autopsi pritet të kryhet në Palma, kryeqytetin e Majorkës. Hetimi po udhëhiqet nga Garda Civile spanjolle. Sipas raportimeve, ai ishte në lidhje me yllin e “Real Housewives of Cheshire”, Misse Beqiri, me të cilën ka një vajzë, River, tetëvjeçare. Dyshja kishte një lidhje të trazuar. Ata ishin fejuar në maj të vitit 2018, por shpejt i dhanë fund lidhjes. Jake-ut iu dha një urdhër mbrojtjeje në dhjetor për 28 ditë, por ai nuk u arrestua dhe as nuk u akuzua për ndonjë vepër penale.







