Procesi i numërimit të votave në zgjedhjet lokale në Angli po vijon, por rezultatet paraprake kanë konfirmuar tashmë se Partia Konservatore dhe asnjë forcë tjetër politike nuk arrijnë dot pragun prej 40 vendeve të nevojshme për të siguruar shumicën në këshill.
Deri tani janë numëruar 63 nga 78 zonat zgjedhore, ndërsa surpriza më e madhe e procesit është partia Reform UK e drejtuar nga Nigel Farage, e cila ka siguruar 17 vende dhe hyn për herë të parë në këshill, duke shënuar një rritje të fortë elektorale.
Nga ana tjetër, konservatorët kanë pësuar një goditje të rëndë, duke humbur deri tani 21 vende krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Rezultatet kanë ushtruar presion edhe mbi qeverinë laburiste të kryeministrit Keir Starmer, i cili pranoi publikisht humbjet e partisë së tij në disa zona kyçe të Anglisë.
“Ato janë shumë të forta dhe nuk ka asnjë lloj sheqerosjeje,” deklaroi Starmer, duke shtuar se Partia Laburiste ka humbur përfaqësues të rëndësishëm në disa rajone.
Megjithatë, ai theksoi se rezultatet nuk do ta ndryshojnë vendosmërinë e tij për të çuar përpara reformat dhe premtimet e bëra gjatë fushatës.
Zgjedhjet lokale po shihen si një test i rëndësishëm politik për të gjitha partitë britanike dhe si një sinjal për klimën elektorale në Britani përpara përballjeve të ardhshme kombëtare.







