Ballina Bota Incident i pabesueshëm në aeroportin e Denverit, avioni godet për vdekje personin...

Incident i pabesueshëm në aeroportin e Denverit, avioni godet për vdekje personin në pistë

68
0

Një avion i kompanisë ajrore Frontier Airlines, që ishte nisur drejt Los Angeles, goditi një burrë që po ecte në pistën e Denver International Airport mbrëmjen e së premtes, sipas deklaratës së linjës ajrore. Incidenti ndodhi rreth orës 22:15 sipas orës lokale, gjatë ngritjes së avionit.

Personi humbi jetën pasi u godit nga avioni i Frontier Airlines vetëm dy minuta pasi kishte kapërcyer gardhin rrethues dhe kishte hyrë në pistën e Denver International Airport mbrëmjen e së premtes, bëri të ditur aeroporti.

Personi, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, nuk besohet të ketë qenë punonjës i aeroportit, thuhet në deklaratën zyrtare. Fluturimi 4345, një Airbus A321, ishte nisur nga Denveri drejt Los Angeles dhe kishte në bord 224 pasagjerë dhe 7 anëtarë ekuipazhi. Avioni ishte planifikuar të nisej në orën 22:39 sipas kohës lokale.

Gjatë nisjes, “avioni dyshohet se goditi një këmbësor në pistë gjatë ngritjes”, deklaroi kompania ajrore.

Në regjistrimet e kontrollit të trafikut ajror, piloti dëgjohet duke raportuar se një nga motorët kishte marrë flakë dhe se në avion kishte tym, përpara se të njoftonte kontrollin ajror se duhej kryer evakuimi i menjëhershëm në pistë. Si masë paraprake, pasagjerët u evakuuan duke përdorur rrëshqitëset emergjente të avionit, bëri të ditur Frontier Airlines në një deklaratë zyrtare.

‘Po hetojmë incidentin dhe po mbledhim më shumë informacion në koordinim me aeroportin dhe autoritetet e tjera të sigurisë. Jemi thellësisht të trishtuar nga ky incident’, thuhej në deklaratën e kompanisë. Fluturimi ishte planifikuar të mbërrinte në Los Angeles International Airport pak pas mesnate, por udhëtimi u shty dhe u riplanifikua për mëngjesin e së shtunës.