Trajneri i Como-s, Cesc Fabregas, nuk e fshehu emocionin pas suksesit historik të skuadrës lombarde, që siguroi për herë të parë kualifikimin në kupat europiane. Pas fitores ndaj Veronës, tekniku spanjoll foli me krenari për rrugëtimin e Comos, duke e cilësuar këtë arritje si një moment që do të mbetet gjatë në kujtesë.
“Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur. Sot po shkruajmë histori. Dy vite më parë, më 10 maj, Como u ngjit në Serie A pas 21 vitesh, ndërsa sot sigurojmë Europën. Është një ëndërr, diçka që nuk shpjegohet lehtë”, deklaroi Fabregas për DAZN. Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Arsenalit theksoi se skuadra e tij ka arritur gjithçka me përulësi dhe identitet të qartë.
“Nuk jemi Juventusi, Milani, Interi apo Napoli. Jemi një skuadër modeste që me lojtarë të rinj po përpiqet të luftojë gradualisht me ta. Duhet ta shijojmë këtë moment dhe të vazhdojmë të rritemi, sepse kjo është rruga e duhur”, shtoi trajneri spanjoll.
Fabregas ua dedikoi këtë sukses tifozëve të Comos, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme që skuadra ka marrë gjatë gjithë sezonit. Në konferencën për shtyp, trajneri u ndal më shumë te historia e klubit sesa te vetë ndeshja.
“Sot nuk dua të flas për Veronën apo për paraqitjen. Dua të flas vetëm për historinë e Comos. Jam krenar për këtë grup dhe për të gjithë njerëzit që kanë kontribuar në këtë rrugëtim, nga presidenti te lojtarët që kanë qenë pjesë e projektit që në fillim”, u shpreh ai.
Fabregas shtoi se skuadra nuk kishte menduar shumë për Europën gjatë sezonit, pasi preferonte të fokusohej ndeshje pas ndeshjeje. Kur mendon shumë larg, rrezikon të mos arrish askund. Për këtë arsye nuk flisja kurrë për Europën. Por ajo që kemi bërë është diçka shumë e madhe”, përfundoi trajneri i Comos.







