Ushtria britanike ka kryer një operacion me parashutë në një ishull të largët të Atlantikut për të ndihmuar një shtetas britanik që kishte dyshime për infektim me hantavirus.
Sipas raportimeve, mjekë të Ushtrisë Britanike kanë zbritur me parashutë në ishullin Tristan da Cunha, në Territorin Britanik më të izoluar të banuar, për të ofruar ndihmë mjekësore për një burrë që kishte shfaqur simptoma të virusit. Ai kishte lënë më herët anijen turistike MV Hondius, e cila është prekur nga një shpërthim vdekjeprurës i virusit.
Burri ka raportuar simptomat rreth dy javë pas largimit nga anija dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe në izolim. Deri tani janë konfirmuar gjashtë raste të hantavirusit, përfshirë edhe dy shtetas të tjerë britanikë që po trajtohen jashtë anijes.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur se të shtunën janë hedhur gjithashtu furnizime me oksigjen nga një avion ushtarak RAF A400M, pasi rezervat në ishull kishin arritur nivele kritike.
Rreth një muaj pas vdekjes së parë në bordin e MV Hondius, anija ka mbërritur në Tenerife, ku autoritetet po ndihmojnë mbi 100 persona për t’u riatdhesuar. Deri tani janë regjistruar tre viktima nga shpërthimi i virusit, dy prej të cilëve të konfirmuar me hantavirus.
Shtetasi britanik që jeton në Tristan da Cunha është larguar nga anija më 14 prill dhe ka shfaqur simptoma më 28 prill. Ai aktualisht ndodhet në izolim dhe në gjendje të stabilizuar.
Në ishull kanë zbritur me parashutë gjashtë ushtarë dhe dy mjekë nga Brigada e 16-të Ajrore, në një operacion të konsideruar shumë të vështirë për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe mungesës së infrastrukturës. Ishulli ka vetëm 221 banorë dhe nuk ka aeroport, duke u aksesuar vetëm me anije.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky është rasti i parë kur ushtria britanike kryen një operacion humanitar me parashutë për personel mjekësor. Furnizime mjekësore në sasi të mëdha janë dërguar gjithashtu në ishull për të mbështetur spitalin lokal dhe për të ndihmuar banorët. Autoritetet britanike kanë theksuar se rreziku për publikun e gjerë mbetet shumë i ulët.







