Ballina Kuriozitete Zbulohet një atmosferë në një botë të vogël akulli përtej Plutonit

Zbulohet një atmosferë në një botë të vogël akulli përtej Plutonit

74
0

Astronomët kanë identifikuar shenja të një atmosfere të hollë rreth një objekti të vogël dhe të akullt përtej Plutonit, duke hapur një kapitull të ri në studimin e skajeve të sistemit diellor.

Objekti, i njohur si 612533) 2002 XV93, ka një diametër rreth 500 kilometra dhe konsiderohet më i vogli i zbuluar deri tani që mund të ketë një atmosferë globale të mbajtur nga graviteti, sipas AP.

Zbulimi u bë nga një ekip shkencëtarësh japonezë përmes vëzhgimeve me teleskopë, duke përdorur teknikën e okultimit yjor. Gjatë kalimit të objektit përpara një ylli të largët u vu re një zbehje karakteristike e dritës, që sugjeron praninë e një shtrese gazi rreth tij. Ky fenomen ofron prova indirekte për ekzistencën e një atmosfere, edhe pse kërkohen konfirmime të mëtejshme.

Sipas studiuesve, atmosfera e këtij “mini-Plutoni” është jashtëzakonisht e rrallë, miliona herë më e hollë se ajo e Tokës dhe dukshëm më e dobët se atmosfera e Plutonit. Përbërja e mundshme përfshin gazra si metani, azoti ose monoksidi i karbonit, ndërsa origjina e saj mund të lidhet me procese si shpërthimet e vullkaneve të akullit ose përplasjet me kometa.

Zbulimi sfidon teoritë ekzistuese që kufizojnë praninë e atmosferave vetëm te trupat më të mëdhenj qiellorë dhe hedh dritë të re mbi objektet në Kuiper Belt.