Marcus Rashford duket se e ka të qartë të ardhmen e tij. Sulmuesi anglez, aktualisht i huazuar te Barcelona nga Manchester United, e ka pranuar publikisht se dëshira e tij është ta vazhdojë aventurën në “Camp Nou”. Pas triumfit të Barcelonës në El Clasico ndaj Real Madridit, ndeshje që i bëri katalunasit kampionë, Rashford ishte një nga protagonistët e festës. Anglezit iu kërkua ta komentonte të ardhmen e tij dhe ai nuk u fsheh aspak.
“Nëse do të isha magjistar, do të doja të qëndroja te Barcelona. Kështu që do të shohim”, deklaroi ai me buzëqeshje për “BBC Sport”.
28-vjeçari e zbuloi gjithashtu lidhjen emocionale që e ka pasur prej kohësh me klubin katalunas.
“Kur isha 18 vjeç doja të qëndroja te Manchester United, por gjithmonë e kam admiruar Barcelonën. Ishte skuadra ime e dytë.”
Rashford po e kalon një sezon pozitiv në Spanjë. Sulmuesi anglez i ka realizuar 14 gola dhe i ka dhënë po aq asistime në të gjitha kompeticionet, duke qenë një nga armët më të rëndësishme të skuadrës së Hansi Flick. Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë. Barcelona e ka të drejtën e blerjes për rreth 30 milionë euro, por pesha e pagës së lojtarit vazhdon të jetë një problem për financat e klubit spanjoll.
Drejtuesit “Blaugrana” kanë kohë deri më 15 qershor për të vendosur nëse do ta aktivizojnë opsionin e blerjes. Nga ana tjetër, Manchester United duket i vendosur ta shesë përfundimisht lojtarin, pasi Rashford nuk bën më pjesë në planet afatgjata të klubit anglez. Vetë futbollisti nuk duket i interesuar për një rikthim në “Old Trafford”, ndërsa vazhdon ta shijojë eksperiencën në Kataluni.
“Kam ardhur këtu për të fituar dhe kjo skuadër do të fitojë shumë trofe në të ardhmen. Të jem pjesë e këtij projekti do të ishte diçka speciale”, përfundoi Rashford.







