Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja mbi projektin “Durrës Marina”, marrëveshjen miliardere mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit arab Mohamed Alabbar, si dhe pikëpyetjet që ngrihen mbi fatin e apartamenteve të shitura ende pa përfunduar ndërtimi. Investigimi hedh dritë mbi procedurat e dhënies së Portit të Durrësit, përjashtimet fiskale të projektit dhe debatet ligjore që kanë shoqëruar marrëveshjen, ndërsa ngre shqetësime mbi përfitimet reale të shtetit dhe garancitë për qytetarët që kanë investuar në “Durrës Marina”.
Historia e dhënies së Portit të Durrësit për ndërtimin e një marine jahtesh, ka nisur që herët në mandatin e parë kur socialistët erdhën në pushtet. Më 25 Nëntor 2015, qeveria shqiptare, miratoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve. Në nenin 3 pika 1, parashikohej nxitja dhe krijimi i kushteve të favorshme nga secila palë për investitorët e palës tjetër për kryerjen e investimeve në territorin e saj si dhe pranimin e këtyre investimeve në përputhje me rregulloret përkatëse.
Në vitin 2020, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen: ‘Për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe’, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji, pjesë përbërëse e tij.
Neni 6 i marrëveshjes ka përcaktuar, ndër të tjera, listën e projekteve specifike që konsiderohen të një natyre strategjike në përmbushjen e objektivave të kësaj marrëveshjeje dhe marrëveshjeve të mëparshme ekonomike e të bashkëpunimit midis dy palëve, konkretisht: rizhvillimi i Portit të Durrësit; mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil; investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.
Po sipas këtij neni, kontratat, programet dhe projektet strategjike të rëna dakord, në përputhje me këtë marrëveshje, nuk do të jenë në asnjë prej palëve që u nënshtrohen prokurimit publik, tenderit publik, procedurës konkuruese publike ose ndonjë procedurë tjetër të përcaktuar në legjislacionin kombëtar të Republikës së Shqipërisë ose të EBA-së pas ratifikimit të saj.
Në atë kohë, kjo marrëveshje u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, e cila kërkoi shfuqizimin e saj. Por Gjykata Kushtetuese e cilësoi si të ligjshme marrëveshjen duke e lënë në fuqi.
Në vitin 2021, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, me firmë të Edi Ramës, i dha statusin e investitorit strategjik për projektin e investimit ‘Marina & Jahtet e Durrësit” (Durrës Yachts & Marina), si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie strategjike për vendin, të kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e një marrëveshje për formën e bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.
Sipas këtij vendimi, projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe afërsisht 79 ha, në zonën e Portit të Durrësit, i ndarë në 2 faza zhvillimi dhe do të realizohet nga subjekti aplikues ‘Symphony Real Estate Development’ sh.p.k., si një projekt i integruar me port turistik dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë dhe shërbime në funksion të tyre.
Në vendim janë parashikuar edhe masat mbështetëse që i jepen zhvillimit të projektit.
Në 29 Dhjetor 2021, qeveria i kalon Ministrisë së Financave 80.9 ha tokë të portit të Durrësit, me qëllim që prona t’i jepej investitorit. Në 18 korrik 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike, ndryshon vendimin për ‘Durrës Marina’, duke e çuar në 15 vjet statusin e investitorit strategjik nga 7 që ishte parashikuar në vendimin fillestar.
Po në vitin 2022, Kuvendi miraton marrëveshjen kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe ‘Eagle Hills Real Estate Development’, ‘Albanian Seaports Development Company’, sh.a. dhe ‘Nshmi Development’ L.L.C, për projektin e investimit strategjik ‘Marina & Jahtet e Durrësit’.
Në Nenin 2 të marrëveshjes, qeveria vendos t’i falë jo vetëm pronën publike Mohamed Alabbarit, por njëkohësisht ta përjashtojë atë edhe nga pagesa e taksave në infrastrukturë dhe ajo e kontributit për strehimin social.
LIGJI
Neni 2
Regjimi i posaçëm në zbatim të marrëveshjes
Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit ‘Marina & Jahtet e Durrësit’ përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e taksave vendore dhe legjislacionit në fuqi për strehimin social. Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji.
Jo vetëm kaq, por skandali thellohet dhe më tej, pasi në relacionin shpjegues, qeveria nuk saktëson se sa do të jetë përfitimi i shtetit nga marrëveshja me Mohamed Alabbar për ndërtimin e Durrësit duke u shprehur se shteti do të ketë përfitimin nga kjo marrëveshje, por pa saktësuar vlerën.
Relacioni
Shteti do të ketë përfitim nga pjesëmarrja në këtë investim. Pjesëmarrja shtetërore propozohet në nivele të tilla, të cilat nuk shuajnë ose e reduktojnë ndjeshëm riskun operacional në ngarkim të investitorit. Pavarësisht veprimeve të aksionarit privat kuota e aksionerit shtetëror nuk do të cënohet. Toka, bregdeti dhe deti përkatës, prona shtetërore këto të patjetërsueshme te privati edhe pas zhvillimit, do t’i nënshtrohen proceseve moderne të pastrimit ambiental dhe fizik. Pronat private dhe publike rreth zonës, objekt zhvillimi, do të pësojnë një rritje vlere të konsiderueshme duke qenë se do të ndodhen një zonën pranë një zhvillimi modern e luksoz. Aktiviteti i portit nuk do të ndërpritet dhe as pengohet gjatë fazave të projektit.
Gjithashtu në relacion shkruhet se Projekti do të zhvillohet në dy faza relativisht të ndara nga njëra-tjetra në hapësirë dhe në kohë, por që do të jenë të integruara në përfundim të projektit. Buxheti/kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë 2 081 347 054 (dy miliardë e tetëdhjetë e një milion e treqind e dyzetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e katër euro). Investimi total në fazën 1 vlerësohet të jetë 595 256 904 dhe për fazën 2, 1 486 090 150.
Pra, nisur nga këto të dhëna, kur në dy vitet e para janë investuar vetëm 43 milionë euro, me një përllogaritje të thjeshtë investimi i 2 miliardë eurove për ndërtimin e ‘Marinës së Jahteve’ në Durrës do të kërkojë disa dhjetëra vjet.
Pra, qytetarët që po blejnë sot apartamente në Durrës, ku në vetëm 2 vjet (referuar bilanceve të vitit 2024 janë shpenzuar rreth 66 milionë euro), qytetarët do mund ta gëzojnë Marinën e Jahteve, pra apartamentet e tyre vetëm pas së paku 50-70 vjetësh.
Por le të kthehemi te vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në padinë e ngritur në Gjykatën Kushtetuese, renditen një seri faktorësh se pse duhet rrëzuar kjo marrëveshje. Në pikën 14.11.2, jepen vlerësimet financiare ku shtetit, sipas vendimit të gjykatës kushtetuese, ky projekt do ti kushtojë qindra milionë euro.
Gjykata Kushtetuese
Projekti shoqërohet me shpenzime të mëdha financiare për shtetin. Vlera e tokës publike ‘të falur’ arrin në 124 milionë euro, ndërsa e truallit rreth 400 milion euro. Taksa e ndikimit në infrastrukturë kap vlerën 84 milionë euro, ndërsa detyrimi për strehimin social llogaritet në shumën 58.5 milionë euro. Po kështu, në mënyrë indirekte, shteti ngarkohet me detyrimin e pastrimit të territorit me një kosto rreth 25 milionë euro. Ndarja e kostove të kredisë, si detyrimin për aksionerin shtetëror, i korrespondon një vlere prej 8.25 milionë eurosh.
Totali i kontributit në investim të palës shtetërore arrin vlerën 299.75 milionë euro, ku nuk janë llogaritur kredia prej 50.5 milionë eurosh e marrë për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve dhe rregullimin e infrastrukturës së portit, grantet e Bashkimit Evropian (BE), kostot e financimit të portit të ri, pretendimet e kompanive gjermane dhe turke që kanë paditur në arbitrazh shtetin shqiptar në vlerën 140 milionë euro, kostot për të çuar në kufi të zonës së projektit infrastrukturën përkatëse rrugore, kanalizimet, energjinë, ujin etj.
Pra, me një llogari të thjeshtë, shteti shqiptar, bëhet investitor në Marinën e Durrësit me rreth 300 milionë euro, pa llogaritur këtu vlerën e pronës së falur që shkon në rreth 524 milionë euro.
Por në pretendimet e tij, Autoriteti Portual Durrës, si aksioner te ‘Durrës Marina’, e justifikon faljen e tokës me argumenta jo shumë bindës.
Sipas APD, 20% e tokës së dhënë për ‘Durrës Marina’ do të të kthehet në hapësirë publike për qytetin e Durrësit.
Autoriteti Portual Durrës
Pretendimet për cënimin e së drejtës së pronës publike janë të pabazuara, pasi pasuria e paluajtshme e vënë në dispozicion të projektit përbën kontribut të shtetit në investim. Pronësia e tokës do t’i kalojë pjesë-pjesë zhvilluesit, shoqërisë së përbashkët ‘Durrës Marina’ sh.a., ku shteti zotëron 33 % të aksioneve. Sipas nenit 10.8 të marrëveshjes kuadër dhe Marrëveshjes së Marinës, pronësia e infrastrukturës kritike detare, përfshirë kalatat, basenin e portit dhe kanalin hyrës do të mbeten gjithmonë pronë shtetërore dhe e patjetërsueshme.
Nga zona zhvillimore prej 60 hektarësh, 20% e truallit do të kthehet në hapësirë publike për qytetin e Durrësit, e cila do të jetë në pronësi të shtetit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nxjerr në pah dhe një detaj tjetër, i cili nuk është i saktësuar në relacionin shpjegues të marrëveshjes. Sipas relacionit saktësohet vetëm se investimi do të kap shifrat prej 2 miliardë eurosh, i ndarë në dy faza. Por te vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbulohet se investimi real nuk do të jetë kurrë aq para. Sipas shpjegimeve të bëra nga Autoriteti Portual Durrës, vlera prej 2 miliardë eurosh, nënkupton edhe asete të tjera që nuk lidhen direkt me investimin.
Autoriteti Portual Durrës
Po në kuadër të këtij parimi, pretendimet e kërkuesit se investimi prej 2 miliardë eurosh i investitorit është joreal, është i pabazuar, pasi marrëveshja e vitit 2015 përcakton qartë se krahas parave në investim përfshihen edhe pasuritë e paluajtshme, aksionet, letrat me vlerë, obligacionet, huat, të drejtat dhe pretendimet për para, sipas kontratave që kanë një vlerë financiare, pronësia intelektuale. Nga ana tjetër, kontrata tip e zhvillimit për investimet në turizëm, e miratuar me VKM-në nr. 691, datë 5 tetor 2016, ashtu si edhe kontratat koncesionare, të cilat janë nënshkruar nga të gjitha qeveritë shqiptare, pavarësisht spektrit politik, kërkon si kusht për efektivitetin e saj konfirmimin nga investitori që ka gjetur financimin. Zhvillimi i projekteve, përfshirë edhe ato madhore, nuk varet nga vlera e kapitalit fillestar të shoqërisë, por nga shëndeti financiar dhe mundësia për të gjetur financim.
Pra, thënë ndryshe, sipas kësaj logjike, Alabbar mund të deklarojë edhe kullën Burj Khalifa si pjesë të shëndetit financiar të kompanisë, dhe ta deklarojë si pjesë të investimit. Pas shqyrtimit të këtyre pretendimeve, në 21 Shkurt 2025, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës duke e lënë në fuqi marrëveshjen.
Vendimi u mor në një kohë që qeveria, po në fillim të vitit 2025 kishte miratuar edhe disa dhjetëra leje të tjera zhvillimi për projektin ‘Durrës Marina’. Nga ana tjetër, teksa Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë anëtarësh të rrëzonte kërkesën e deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit, dy anëtarë të kësaj gjykate, kanë dhënë mendim pjesërisht kundër, duke e cilësuar ligjin, nga pikëpamja formale, si antikushtetues.
Gjyqtarja Marsida Xhaferllari, rendit së paku shtatë argumente kushtetuese se pse ligji i miratuar në Kuvend për marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së Alabbar është antikushtetues.
Në pikën 6 dhe 7 të argumenteve të saj, Xhaferllari saktëson se miratimi i kontratave administrative, me ligj, që është kthyer në normë nga Kuvendi, po denatyron sistemin normativ të vendit, sepse një ligj i tillë merr tiparet e aktit individual, ai zbatohet për një marrëdhënie juridike të caktuar ndaj subjekteve të individualizuara dhe shteron në zbatimin e tij.
Një ligji të tillë i mungojnë karakteristikat e aktit normativ, ai është pa përmbajtje, nuk rregullon situata dhe sjellje në mënyrë të përgjithshme.
Më tej në pikën 7, Marsida Xhaferllari deklaron se qasja e Kuvendit për miratimin me ligj të marrëveshjes, përmes procedurës parlamentare ligjvënëse, deformon edhe procedurat e kontrollit gjyqësor të saj, si një akt të vullnetit të palëve.
Kështu, për sa kohë që marrëveshja nuk përbën akt normativ, veshja e saj me ligj e përjashton nga juridiksioni i zakonshëm gjyqësor, ndërsa Gjykatën e vendos në situatën që të pranojë në juridiksionin e saj kontrollin e akteve me natyrë individuale.
Ndërsa në përfundim, kërkonte që ligji të shfuqizohej nga kolegët e saj, që në fakt bën të kundërtën.
Marsida Xhaferllari
Në përmbledhje të arsyeve të mësipërme dhe bazuar në nenet 4, 81–85, 116 dhe 131, shkronja ‘a’, të Kushtetutës, vlerësoj se ligji objekt kundërshtimi është i papajtueshëm me Kushtetutën në aspektin formal, për sa kohë që Kuvendi ka vepruar në kundërshtim me kompetencat dhe procedurën parlamentare ligjvënëse. Për rrjedhojë, Gjykata duhej të kishte pranuar kërkesën pjesërisht dhe të vendoste shfuqizimin e ligjit objekt kërkese.
Gjyqtari Ilir Toska futet më në brendësi të ligjit, ku konstaton se së paku tre nene të tij, 1, 3 dhe neni 4, janë antikushtetues dhe për këtë arsye ligji duhet të shfuqizohej.
Ai argumenton fillimisht se ‘Ndërhyrja e Kuvendit në këtë rast përmes miratimit me ligj të marrëveshjes kuadër, të statutit të shoqërisë së përbashkët, të marrëveshjes së zhvillimit dhe kontratës për transferimin e titullit të pronësisë dhe të marrëveshjes ‘Për Marinën e Durrësit’, pra përmes një akti me natyrë të përgjithshme, e bën këtë veprimtari jokushtetuese.
Kuvendi ka ndërhyrë për rregullimin e një çështjeje që i përket vlerësimit dhe miratimit nga pushteti ekzekutiv, duke qenë përpara një marrëveshjeje vullneti, që në praktikë realizohet përmes ofertës dhe pranimit të saj, pra me natyrë të pastër ekzekutive.
Vullneti i ligjvënësit në këtë rast nuk është i shprehur në cilësinë e organit përfaqësues të vullnetit të popullit, pra si vullnet i një lloji autoritar, por vetëm me synimin për t`i dhënë vlerë juridike dispozitave të një marrëveshjeje që është detyruese dhe sjell pasoja vetëm ndaj palëve të saj.
Madje, sipas gjyqtarit Toska, miratimi i tre neneve të sipërmendura nga Kuvendi, pengon gjykatat e nivelit të zakonshëm, që të mbrojnë interesat e palës shtet në këtë rast.
Ilir Toska
Ndërhyrja e Kuvendit në këtë rast përmes miratimit me ligj të marrëveshjes kuadër, të statutit të shoqërisë së përbashkët, të marrëveshjes së zhvillimit dhe kontratës për transferimin e titullit të pronësisë dhe të marrëveshjes ‘Për Marinën e Durrësit’, pra përmes një akti me natyrë të përgjithshme, e bën këtë veprimtari jokushtetuese. Kuvendi ka ndërhyrë për rregullimin e një çështjeje që i përket vlerësimit dhe miratimit nga pushteti ekzekutiv, duke qenë përpara një marrëveshjeje vullneti, që në praktikë realizohet përmes ofertës dhe pranimit të saj, pra me natyrë të pastër ekzekutive. Vullneti i ligjvënësit në këtë rast nuk është i shprehur në cilësinë e organit përfaqësues të vullnetit të popullit, pra si vullnet i një lloji autoritar, por vetëm me synimin për t`i dhënë vlerë juridike dispozitave të një marrëveshjeje që është detyruese dhe sjell pasoja vetëm ndaj palëve të saj.
Është e qartë nga kaq sa ju treguam, se miratimi i këtij ligji, që i hapi rrugë shkatërrimit të pasurisë më të rëndësishme ekonomike dhe strategjike për shqiptarët, Portit të Durrësit, ka qenë i orkestruar në mënyrë të tillë që gjithçka të favorizonte biznesmenin Mohamed Alabbar.
Dhe rezultatet e këtij ligji të paktën deri më sot, tregojnë se i vetmi që ka përfituar është biznesmeni arab, Mohamed Alabbar.
80 ha truall me vlerë 520 milionë euro, portin më të madh të vendit në shërbim të resortit të tij dhe mbi të gjitha, zhvatja e mbi 66 milionë euro në vetëm dy vite për të ndërtuar apartamente, të cilat nuk dihet kurrë se kur do t’i gëzojnë ata që i kanë porositur.
E gjitha kjo nisi me një propagandë të madhe dhe angazhim personal të Edi RAmës dhe Belinda Ballukut, të cilët premtuan se Alabbar do të investonte 2 miliardë euro në Durrës, por që në fakt, nga dokumentet e deritanishme, rezulton se Alabbar përfitoi një pasuri publike me vlerë mbi gjysmë miliardi euro duke investuar vetëm 23 mijë euro si kapital themeltar për shoqërinë ‘Durrës Marina’.
Pjesa tjetër e parave të injektuara në kapital apo dhe investim, janë të ardhurat nga shuma mbi 66 milionë euro e kontratave të klientëve që kanë parapaguar për apartamente në marinën e Durrësit.







