Deputeti socialist, Erion Braçe teksa vijon me denoncimet e problematikave në kryeqytet, ditën e sotme ka denoncuar pallatet që janë të ngjeshura me njëra-tjetrën në një nga zonat më të njohura të Tiranës, te sheshi “Willson”.
Në postimin e bërë në Facebook-un e tij, socialisti ka ngritur zërin për ndërtimet e bëra në këtë zonë, ku pallatet janë të ngjeshura me njëra-tjetrën duke mos pasur hapësirë që të kalojë zjarrfikësja në rast se ndodh ndonjë zjarrvënie.
“Këtu është pastër, por nëse larg qoftë bie zjarr, zjarrfikësja nuk hyn dot. Në asnjë anë. Këtu ka dhe makina të braktisura. Nga asnjëra anë nuk ka rrugë këtu. Është aq ngushtë sa nuk hyn dot. Gjëja më e rëndësishme në këtë rast është që të lutemi të mos bjerë zjarr” shprehet Braçe në videon e publikuar.
Që prej ditës kur shpallin kandidaturën për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Braçe nuk ka ndaluar së denoncuar problematikat e kryeqytetit, Që nga makinat e parkuara vende e pa vend, te të moshuarit që presin në pikë të diellit për të marrë abonenë falas, e deri te ndërtimet e bëra në Tiranë, Braçe ka ngritur zërin kundër këtyre problematikave.
Reagimi i Erion Braçes: Jam këtu te Libri Universitar, një pallat më poshtë. Këto janë lagjet kurth të qendrës së Tiranës. Këtu është pastër, por nëse larg qoftë bie zjarr, zjarrfikësja nuk hyn dot. Në asnjë anë. Këtu ka dhe makina të braktisura. Nga asnjëra anë nuk ka rrugë këtu. Është aq ngushtë sa nuk hyn dot. Gjëja më e rëndësishme në këtë rast është që të lutemi të mos bjerë zjarr. Njerëzit këtu duhet të bëjnë kujdes që të mos bjerë zjarr. Pastër është, por për zjarrin është një tmerr. Do piqen të gjallë.







