Ballina Aktualitet Shqipëria po ‘shuhet’: Kthehet me shtesë natyrore negative në TI, njësoj si...

Shqipëria po ‘shuhet’: Kthehet me shtesë natyrore negative në TI, njësoj si në pandemi

61
0

Në Shqipëri, në tremujorin e parë të vitit 2026 kishte më shumë vdekje sesa lindje, sipas të dhënave që u publikuan nga INSTAT.

Kjo ka bërë që shtesa natyrore të rikthehet në negative, njëlloj si në kohën e pandemisë, kur për herë të parë në vend treguesi ishte me minus për shkak të humbjeve të larta të jetës si rrjedhojë e pandemisë.

Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2026, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi negative me 368 vdekje më shumë se lindje.

Gjatë tremujorit të parë lindën 5.146 foshnje dhe u regjistruan 5.514 vdekje.Në tremujorin e parë të vitit 2026, lindjet shënuan rritje me 1,0 %, ndërsa vdekjet shënuan rënie me 7,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025.

Qarku me më shumë lindje në tremujorin e parë ishte Tirana, më 2.438, ndërsa më më pak lindje Gjirokastër (59).

Krahasuar me T1/2025 rezulton: rritje në 6 qarqe; 1 qark pa ndryshim; rënie në 5 qarqe.

Rritja më e madhe e lindjeve ishte në Berat (+ 14,5 %) dhe rënia më e madhe në Gjirokastër (- 23,4 %).

Po sipas INSTAT, Gjatë vitit 2025, vendi shënoi shtesë natyrore pozitive prej me 1.147 lindje më shumë se vdekje, por në rënie krahasuar me vitin 2024. Gjatë vitit 2025 lindën 22.541 foshnje dhe u regjistruan 21.394 vdekje.

Teksa emigracioni vijon të jetë i lartë dhe vendi nuk ka një shtesë natyrore, Shqipëria pritet të përballet me një tkurrje të lartë të popullsisë në të ardhmen, me efekte të mëdha në ekonomi, që nga tregu i punës deri te skema e pensioneve dhe e kujdesit social për të moshuarit.