Sistemi penitenciar në Shqipëri vijon të përballet me mbipopullim dhe kushte të rënda infrastrukturore, ndërsa në disa institucione trajtimi i personave të privuar nga liria po shfaq shenja degradimi. Kjo është një nga gjetjet e Avokatit të Popullit, i cili evidenton se burgjet dhe paraburgimet vazhdojnë të kenë probleme serioze me kapacitetet, kushtet higjieno-sanitare dhe shërbimet bazë.
Sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit, të cilin e disponon ekofin.al, gjatë inspektimeve të kryera në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), janë konstatuar godina të amortizuara, lagështirë, mungesë ajrimi, sisteme jofunksionale të ngrohjes dhe ftohjes, mungesë mobilimi bazë dhe furnizim i pamjaftueshëm me produkte higjieno-sanitare.
Avokati i Popullit vlerëson se për disa institucione këto nuk janë më thjesht mangësi administrative, por tregues të një modeli menaxhimi që ka toleruar degradimin e kushteve të jetesës për personat e privuar nga liria. Për këtë arsye, institucioni ka rekomanduar që disa burgje të mos trajtohen më me ndërhyrje të pjesshme apo riparime sporadike, por të konsiderohet mbyllja e tyre në kuadër të një rivlerësimi kombëtar të sistemit penitenciar.
Institucionet ku janë evidentuar problematika të vazhdueshme përfshijnë IEVP Burrel, IEVP Kosovë Lushnjë, IEVP Kukës, IEVP “Mine Peza” (302), IEVP “Jordan Misja” (313) godina A, si dhe IEVP Tepelenë, (mbyllur tashmë pas rekomandimit të Avokatit në vitin 2024). Në këto institucione janë konstatuar mungesë hapësirash, lagështirë, ndriçim dhe ajrim i pamjaftueshëm, kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe rehabilituese.
Sipas vlerësimeve, këto kushte rrezikojnë të cenojnë dinjitetin dhe integritetin fizik e psikologjik të personave të privuar nga liria dhe bien ndesh me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin human të tyre.
Për këtë arsye, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mbylljen e këtyre institucioneve.
Raporti evidenton edhe problematikën e mbipopullimit në disa burgje. Në nivel kombëtar, sistemi penitenciar kishte në vitin 2025 një kapacitet prej 5,747 vendesh, ndërsa numri total i të paraburgosurve dhe të dënuarve arriti në 5,029 persona, ose 87% të kapacitetit total.
Megjithatë, disa institucione rezultojnë mbi kapacitet. Situata më e rënduar paraqitet në IEVP Lezhë, ku janë regjistruar 461 persona për një kapacitet prej 280 vendesh, ose 181 persona mbi kapacitetin, që përkthehet në një mbipopullim prej 65%.
Mbipopullim evidentohet edhe në IEVP “Jordan Misja” (313) në Tiranë, ku ndodhen 535 persona për një kapacitet prej 480 vendesh, ose 55 persona mbi kapacitetin. Në IEVP Vlorë janë regjistruar 176 persona për 160 vende, ndërsa në IEVP Fushë-Krujë 389 persona për një kapacitet prej 380 vendesh.
Nga ana tjetër, disa institucione rezultojnë ende brenda kapaciteteve, si Fieri me 680 persona nga 828 vende, Reçi me 646 nga 781 vende dhe Peqini me 376 nga 528 vende.
Raporti nënvizon se mbipopullimi, i kombinuar me kushtet e amortizuara infrastrukturore dhe mungesën e shërbimeve bazë, vazhdon të krijojë probleme serioze për trajtimin dinjitoz të personave të privuar nga liria dhe për funksionimin normal të sistemit penitenciar shqiptar. /ekofin.al







